Kosova

UP humb betejën ndaj AKA-së për studimet e doktoratës në Fakultetin Juridik


Universiteti i Prishtinës “Hasan Prushtina”

Gjykata Themelore në Prishtinës ka refuzuar kërkesën e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, për shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit të Komisionit të Ankesave të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), për programet e doktoratës në Fakultetin Juridik për vitin akademik 2021/2022.

Komisioni i Ankesave i AKA-së e kishte refuzuar një ankesë të UP-së më 29 shtator 2021. Ankesa e këtij universiteti kishte të bënte me mospranimin e aplikacionit për ri-akreditim të programeve të doktoratës të Fakultetit Juridik nga ana e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) të AKA-së.

Gjatë muajit mars të vitit 2021, KShC i AKA-së, ia kishte refuzuar aplikacionin Fakultetit Juridik për ri-akreditim të programeve të doktoratës  në drejtimet “E Drejta Penale, E Drejta Civile dhe E Drejta Financiare”.

Universiteti i Prishitinës nuk ishte ndarë i kënaqur me Vendimin e KShC-së, andaj kishte shfrytëzuar të drejtën e ankesës, të cilën e kishte bërë më 27 prill 2021, pranë Komisionit të Ankesave të Agjencisë së  Kosovës për Akreditim.

AKA

Komisioni i AKA-së e kishte refuzuar ankesën e UP-së. Por, nuk mjaftonte kjo për UP-në, andaj universiteti kishte vendosur të bëjë një padi në gjykatë.

Më 5 nëntor 2021, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prushtina” kishte bërë padi në Gjykatën e Themelore në Prishtinë për shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit të Komisionit të Ankesave të AKA-së.

Ndërsa, Gjykata Themelore e Prishtinës nga ana tjetër kishte realizuar punën e saj fillestare duke shqyrtuar dokumentacionin e dorëzuar nga ana e universitetit.

Pas kësaj, gjykata ka konstatuar se Universiteti i Prishtinës në bazë të dokumentacionit të dorëzuar, nuk e ka bërë të provueshme dhe të besueshme pretendimet e saj.

Për shtyrjen e ekzekutimit duhej së paku të plotësohej kushti se vendimi i komisionit nuk është në kundërshtim me interesin publik.

“Përfaqësuesi i autorizuar i paditësit, me kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, nuk ka dhënë fakte për të mbështetur kërkesën e tij, respektivisht nuk ka ofruar prova për të vërtetuar plotësimin e kushteve të parapara me nenin 22 paragrafi 2 të Ligjit për Konflikte Administrative”, thuhet në Aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

“Kërkesa për shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit të paditurës, tërësisht është e mbështetur në provat dhe faktet që kanë të bëjnë më çështjen kryesore, për cilat gjykata do të vendos në mënyrë meritore pas shqyrtimit të padisë dhe kërkesëpadisë, por të cilat nuk u vlerësuan me ndikim për vlerësimin e besueshmërisë së kërkesës për shtyrje të ekzekutimit të vendimit”, thuhet më tej në Aktvendim.

Si rezultat i Vendimit të KShC-së, Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” gjatë vitit akademik 2021/2022 ka mbetur pa studime të doktoratës.

Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”

Ndërsa shumë drejtime në Universitetin e Prishtinës nuk kanë studime të doktoratës, kjo zakonisht si pasoj e mungesës së profesorëve të mjaftueshëm dhe mungesës së hapjes së degëve në degë multidisiplinare, gjë që ka bërë shumë drejtime të shkojnë drejtë mbylljes edhe të ciklit të dytë të studimeve të larta atyre Mastër.

Për hapjen e studimeve të doktoratës brenda një dege duhet të ketë së paku nëntë profesor të rregullt.

Në Arsimin e Lartë, studimet e Doktoratës janë studime të ciklit të tretë.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC), është organ politikbërës dhe vendimmarrës i AKA-së, i cili përbëhet nga nëntë anëtarë, tre prej të cilëve janë ndërkombëtarë.

KShC përcakton objektivat kryesore dhe afatet kohore të procesit të vlerësimit të institucioneve të arsimit të lartë (IAL). KShC miraton standardet, procedurat, kriteret e vlerësimit të jashtëm të IAL-ve.

Gjithashtu, KShC harton dhe miraton Statutin e AKA-së, rregulloret dhe dokumente tjera të nevojshme për funksionimin e AKA-së.

Me propozimin e drejtorit të AKA-së, KShC miraton listën e ekspertëve ndërkombëtarë të akreditimit, të cilët do të angazhohen në procesin e vlerësimit të IAL-ve për vitin akademik.

Përbërja aktuale e KShC-së është : Prof. Ass. Dr. Hasnije Ilazi, Kryetare; Prof. Ass. Dr. Rozafa Koliqi, anëtare; Prof. Ass. Dr. Dukagjin Zeka; anëtar; Prof. Ass. Dr. Krenare Pireva-Nuçi, anëtare; Prof.Asoc.Dr. Klemen Miklavic; anëtar; Prof. Ass. Dr. Gëzim Tosuni, anëtar; Prof. Ass. Dr. Seb Bytyqi, anëtar dhe sipas detyrës, Drejtori i AKA-së, Naim Gashi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore