Lajme

Universiteti i Prishtinës hap dyert për studentët e rinj


Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” përmes një njoftimi në faqen zyrtare ka bërë të ditur se ka hapur konkursin për pranimin e studenteve në vitin e parë të studimeve themelore – Baçelor, për vitin akademik 2022/2023.

Në afatin e parë të konkursit, sipas këtij institucioni, gjithsej 5497 studentë të rregullt planifikohet të bëhen pjesë e UP-së për këtë vit akademik.

Universiteti i Prishtinës numëron dhjetëra programe studimore në 14 fakultete, dhe për t’u bërë pjesë duhet të aplikoni deri më datë 19 korrik 2022.

Në platformën ranguese “SCImago Institutions Rankings”, e cila e vlerëson performancën shkencore të institucioneve të arsimit të lartë, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka shënuar avancim në vitin 2022, si në rangimin e përgjithshëm, ashtu edhe në rangimin sipas metrikave të bazuara në kërkimin shkencor, inovacionin dhe ndikimin në shoqëri.

Universiteti i kryeqytetit u themelua me Ligjin mbi themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e miratoi Kuvendi i Kosovës më 18 nëntor 1969.

Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë , më 15 shkurt 1970 u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit dhe data e 15 shkurtit u shpall Dita e Universitetit të Prishtinës.

Ndryshe, më 19 gusht të vitit të kaluar, rektor i UP-së është zgjedhur Naser Sahiti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore