Lajme

Universitetet e Hong Kong-ut rrëzojnë monumentet simbol të masakrës së Tiananmen-it


Protestuesit mbajnë një statujë të perëndeshës së demokracisë gjatë një marshimi në qendër të qytetit të Hong Kong-ut, të dielën, 30 maj 2010.

Dy universitete të tjera të Hong Kong-ut kanë rrëzuar monumentet në përkujtim të masakrës së Sheshit Tiananmen.

Universiteti Kinez i Hong Kong-ut (CUHK) rrëzoi një statujë të perëndeshës së demokracisë, ndërsa Universiteti Lingnan hoqi një skulpturë reliev.

Ndërsa, Universiteti i Hong Kong-ut hoqi më parë një statujë të famshme që shënonte masakrën e studentëve në Pekin në vitin 1989.

Shteti kinez, prej kohësh, është duke shtypur disidencën politike në Hong Kong.

Dhjetëra mijëra njerëz marrin pjesë në një vigjilje me qirinj në Victoria Park në Hong Kong më 4 qershor 2016, për të përkujtuar viktimat e goditjes ushtarake të vitit 1989 në Pekin.

Statuja e Perëndeshës së Demokracisë u modelua sipas statujës origjinale të ngritur nga studentët kinezë në vitin 1989 dhe parakaloi në sheshin Tiananmen pak para masakrës.

Sheshi Tiananmen ishte bërë fokusi i demonstratave që bënin thirrje për liri më të mëdha politike.

Mijëra njerëz marshuan për javë të tëra në shesh, por atë qershor ushtria hyri dhe trupat hapën zjarr.

Qeveria kineze thotë se 200 civilë dhe disa dhjetëra personel sigurie vdiqën. Vlerësime të tjera variojnë nga qindra deri në 10 mijë.

Statuja “Shtylla e Turpit”, një memorial për të vrarët në goditjen e Tiananmenit të vitit 1989, shfaqet në Universitetin e Hong Kong-ut, 13 tetor 2021.

CUHK-u nuk konfirmoi drejtpërdrejt heqjen e statujës, duke thënë se një “statujë e paautorizuar” ishte hequr.

“Universiteti nuk e autorizoi kurrë shfaqjen e statujës në kampusin e tij dhe asnjë organizatë nuk ka marrë përgjegjësinë për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e saj”, tha CUHK.

Nga Universiteti Lingnan u deklarua se kohët e fundit ishin “rishikuar dhe vlerësuar artikujt në kampus që mund të paraqesin rreziqe ligjore dhe sigurie” dhe i kishte “hequr këto në interesin më të mirë të Universitetit”.

Oficerët e policisë marrin si dëshmi një karton me imazhin e perëndeshës së demokracisë nga Muzeu i 4-Qershorit, në Hong Kong më 9 shtator 2021.

Një pikturë me spërkatje e asaj që dukej të ishte perëndeshë e demokracisë u pikturua gjithashtu në Universitetin Lingnan.

Hong Kong-u dikur ishte një nga vendet e pakta në Kinë që lejonte përkujtimin publik të masakrës, e cila mbetet një temë shumë e ndjeshme në Kinën kontinentale.

Por në vitin 2020, autoritetet e Hong Kong-ut ndaluan vigjiljen për herë të parë në 30 vjet, duke përmendur kufizimet e COVID-19.

Aktivistët akuzuan zyrtarët për përkulje ndaj presionit nga Pekini për të penguar shprehjen pro-demokracisë.

Dhjetëra mijëra njerëz kundërshtuan ndalimin për të marrë pjesë në vigjilje atë natë, duke rrëzuar barrikadat që ishin ngritur rreth Parkut Victoria të Hong Kong-ut.

Jimmy Lai u burgos në fillim të këtij viti për pjesëmarrje në protestat pro-demokracisë

Në tetor, nëntë aktivistë pro-demokratikë të Hong Kong-ut u dënuan me nga gjashtë deri në dhjetë muaj burg për pjesëmarrje në vigjilje.

Në fillim të këtij muaji, manjati i medias, Jimmy Lai, mori gjithashtu 13 muaj burg për pjesëmarrje në të njëjtën vigjilje.

Pekini prezantoi një ligj të rreptë të sigurisë kombëtare në Hong Kong vitin e kaluar që kriminalizon shkëputjen, përmbysjen, terrorizmin dhe marrëveshjet e fshehta me forcat e huaja.

Aktivistët thonë se ligji po përdoret për të shtypur shoqërinë civile, për të burgosur aktivistët e demokracisë dhe për të frenuar liritë themelore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore