Lajme

Unë të paguaj për t’u vaksinuar


Një nga shtetet, i cili po përballet me një rritje të theksuar të infektimeve me variantin e ri Delta, është New York-u.

Pikërisht në një nga shtetet me mirëqenien më të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) po zhvillohet një fushatë ndërgjegjësuese, e nismëtuar nga kryebashkiaku i saj, Bill de Blasio.

De Blasio njoftoi në Twitter se, nga e premtja e javës së ardhshme, të gjithë banorët e New York-ut do të paguhen 100 dollarë për dozën e parë të inokuluar.

Nga autoritetet, kjo lëvizje shihet si një stimul i radhës, bashkangjitur biletave shpërblyese, apo edhe ushqimeve falas për të vaksinuar popullatën e saj nga COVID-19.

Ndërkaq, iniciativa synon dhe rritjen e përqindjes së popullsisë së imunizuar në qytetin e SHBA-ve.

Autoritetet shëndetësore njujorkeze deklarojnë se kjo rritje e infektimeve dhe shtrimeve në spital vërehet veçanërisht në mesin e të pavaksinuarve.

Pagesa prej 100 dollarësh do të bëhet në formën e një karte debiti të parapaguar.

Të mërkurën e 28 korrikut, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve rekomanduan që të kthehet masa mbrojtëse e maskave.

Kjo për të gjithë njerëzit, madje edhe të vaksinuarit, në hapësirat publike dhe në zona të mbyllura, aty ku janë regjistruar më shumë se 50 infeksione të reja për 100 mijë banorë javën e kaluar.

Mesatarja shtatë-ditore e rasteve të reja është afruar në 1 mijë, nga vetëm 200 muajin e kaluar. Rreth 75% i atribuohet variantit Delta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore