Shqipëria

Ultimatum 72 orë për 3 shkarkime – Mbyllet protesta për vajzën e vrarë në Himarë


Me kërkesën e qartë për largimin e ministrit të Brendshëm, Bledar Çuçi, si edhe asaj të Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, shoqëria civile dhe një grup qytetarësh kanë nisur një protestë përballë Ministrisë së Brendshme, nën moton “Nuk e vrau varka, por shteti”, referuar vdekjes së një vajze 7-vjeçare në Himarë, e cila u aksidentua nga një ish-oficer policie me mjetin e tij lundrues.

Pjesë e protestës, kanë paralajmëruar se do të jenë edhe eksponentë të Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë, të cilët e kanë nxitur kauzën.

Thirrjet kryesore nga ana e qytetarëve kanë qenë ato për dorëheqjen e ministrave, si edhe deri në rënien e gjithë qeverisë.

Policia nga ana tjetër, ka rrethuar perimetrin në hyrjen kryesore të godinës, ku ka pasur edhe përleshje sporadike mes protestuesve dhe forcave të rendit.

Pas një qëndrimi prej rreth një ore përballë Ministrisë së Brendshme, qytetarët u janë drejtuar Kryeministrisë, ashtu siç ishte paralajmëruar, duke ndezur qirinj e duke kryer homazhe në shkallët e godinës.

Më pas, ata u janë drejtuar dyerve të Presidencës, ku kanë përcjellë kërkesa për veprim të menjëhershëm nga kreu i shtetit.

Teksa, në mbyllje të marshimit, demonstruesit kanë vendosur një afat prej 72 orësh, ku kanë kërkuar nga kryeministri Rama shkarkimin e ministrave Çuçi e Kumbaro, si edhe atë të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano.

Në të kundërt, protestat do të përshkallëzohen.

Çfarë ndodhi më 2 gusht?

Ata ishin me origjinë nga Tropoja, por prej vitesh jetonin në Kanada. Vajza 7-vjeçare pati lindur atje dhe pushimet e këtij vitit, kishin vendosur t’i kalonin në Himarë.

Ndoshta gjithçka do të mbetej një kujtim i bukur, po të mos ishte për tragjedinë që e goditi familjen Avdia, kur të tre pjesëtarët e saj, u goditën nga një mjet lundrues, i cili doli në breg të detit.

Prindërit, dikush më lehtë e dikush më rëndë, mbetën të plagosur. E mitura – me flokë të arta siç e përshkruajnë dëshmitarët e horrorit në bregdet – mbeti e vdekur në vend.

E gjithë kjo, nga dora e një efektivi të Policisë së Shtetit, i cili ushtronte detyrën e shefit të Seksionit të Policimit në Komuniteti pranë Komisariatit të Policisë Elbasan.

Arian Tase, nga një funksionar publik, ishte kthyer në personin, i cili i mori jetën një vajze 7-vjeçare në rivierën shqiptare.

Nga pakujdesia apo tjetër gjë, kjo mbetet për t’u hetuar nga organet kompetente.

E sigurt është se ai u arrestua menjëherë dhe u pezullua nga detyra prej drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, deri në një hetim të plotë e të pakushtëzuar prej organeve përkatëse.

Babai i vajzës, menjëherë pas ngjarjes, është konfrontuar me Taren, por i pafuqishëm të përballojë situatën dhe humbjen e vajzës, ka rënë në gjunjë në vajtim.

Pushuesit rreth e rrotull, kanë filmuar gjithçka.

Një ngjarje kjo, e cila është e përsëritur gjatë këtij viti, edhe pse në fatalitet ka kaluar për herë të parë.

Gjatë muajve të shkuar, skenarë thuajse identikë kanë ndodhur me mjete të tjera lundruese, të cilat kanë dalë në breg me shpejtësi të plotë dhe kanë goditur pushuesit në çadrat e tyre.

Fati më i keq këtë radhë, ka prekur familjen Avdia, të cilët kanë humbur vajzën e tyre, duke kaluar nga pushimet në një ferr të vërtetë.

Masat ndërkohë, ende priten, me një reagim të thelluar të strukturave shtetërore, për të bërë që bregdeti, të mos përgjaket më si Himara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore