Lajme

Ulja e çmimeve të makinave Tesla rezulton në pak blerës


Për pak Tesla i humbi pritjet e Wall Street-it në tremujorin e parë të vitit 2023 dhe marzhet bruto ranë ndjeshëm në një sinjal se një seri uljesh çmimesh mund të dëmtonte financat e kompanisë.

Kompania publikoi të ardhura prej 85 cent për aksion nga të ardhurat totale prej 23.33 miliardë dollarësh, pak më poshtë parashikimit të analistëve për 86 cent për aksion në 23.34 miliardë dollarë.

Marzhet bruto, një shifër që investitorët po i kushtojnë vëmendje të veçantë këtë tremujor, ranë nga 29.1 për qind në 19.3 për qind nga viti në vit pasi kompania prezantoi një seri uljesh të fundit të çmimeve.

Tesla uli çmimet sërish të martën, disa orë përpara se kompania të planifikonte të publikonte fitimet e tremujorit të parë.

Seria e reduktimeve ka ulur ndjeshëm kostot e makinave Model S, 3 dhe X që nga fillimi i vitit. Çmimet e automjeteve Model Y u ulën me 3 mijë dollarë dhe pati një ulje prej 4.7 për qind të çmimit të Model 3, i cili tani është nën 40 mijë dollarë për herë të parë.

“Strategjia jonë afatshkurtër e çmimeve merr në konsideratë një pamje afatgjatë të përfitimit për çdo automjet, duke pasur parasysh vlerën e mundshme të jetës së një automjeti Tesla përmes autonomisë, supermbushjes, lidhjes dhe shërbimit”, thuhet në raportin e fitimeve të Tesla-s.

Uljet e fundit të çmimeve shënojnë uljen e dytë këtë muaj dhe vijnë pasi kompania nuk arriti në dërgesat e pritshme.

Po ashtu kompania ka njoftuar se ka dorëzuar një total prej 422 mijë e 875 automjetesh në periudhën tre mujore që përfundon në mars, pak më pak se 430 mijë dërgesa të pritshme të analistëve.

Tesla gjithashtu ka prodhuar 440 mijë e 808 automjete këtë vit.

Edhe të ardhurat e tremujorit të parë ranë pak nga tremujori në tremujor, por u rritën ndjeshëm nga viti në vit nga 18.76 miliardë dollarë.

Aksionet e Tesla-s, të cilat janë rritur me rreth 50 për qind këtë vit, panë një rënie prej 2.5 për qind të mërkurën në përgjigje të raundit të ri të uljes së çmimeve pasi investitorët u bënë të kujdesshëm ndaj goditjes së mundshme ndaj marzheve të fitimit që kompania mund të merrte si rezultat.

Paçka se shefi ekzekutiv i Tesla-s, Elon Musk, ka thënë në fund të vitit fiskal 2022 se kompania pa nivelet më të larta të kërkesës pas raundeve të para të uljes së çmimeve, disa analistë nuk janë të bindur dhe shqetësohen se megjithëse kërkesa është rritur, rritja ka qenë modeste në krahasim me atë që parashikoi Musk.

Ndërkohë, kompania është përballur me padi të ndryshme dhe çështje të tjera të prodhimit dhe automjeteve në tremujorin e fundit.

Në shkurt, kompania u detyrua të tërhiqte më shumë se 360 mijë automjete për shkak të një defekti të software-it vetë-drejtues që rregullatorët amerikanë thonë se mund të shkaktojë që automjetet të mos respektojnë ligjet e sigurisë në trafik dhe të rrezikojnë përplasjet.

Administrata Kombëtare e Sigurisë së Trafikut në Autostrada (NHTSA) nisi një hetim në mars në lidhje me ankesat se timoni i Tesla-s hiqen ndërsa po drejtohen. Hetimi do të shqyrtojë rreth 120 mijë makina.

Kurse në fillim të këtij muaji, kompania u detyrua t’i paguante 3.2 milionë dollarë një ish-punonjësi me ngjyrë pasi një juri federale vendosi se Tesla nuk arriti të parandalonte ngacmimet e rënda racore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore