Shqipëria

Ulet kurba e infektimeve dhe vdekjeve nga Covid-19 në Shqipëri


Gjatë 24 orëve të fundit, dy persona kanë humbur betejën me coronavirus-in dhe kanë rezultuar pozitivë 138 qytetarë në Shqipëri.

Dy viktimat janë nga Skrapari dhe Shkodra, 71-75 vjeç.

Dy javët e fundit kanë pasur një ulje të ndjeshme të rasteve të reja me Covid-19. Si dhe numri i vdekjeve ka pësuar rënie.

Aktualisht në spitalet COVID, në Tiranë dhe në spitalet rajonale Shkodër, Durrës, Elbasan, janë duke u trajtuar 174 pacientë. 14 pacientë ndodhen në terapi intensive, nga të cilët tre janë në intubim.

Janë kryer 2 mijë e 480 testime dhe janë shëruar 442 qytetarë.

Sipas ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, vijon intensivisht fushata e vaksinimit masiv.

Deri më tani Shqipëria ka administruar doza për 324 mijë e 840 qytetarë.

Fushta e vaksinimit masiv ka filluar më 28 mars.

Për bluzat e bardha, fushata ka përfunduar. Ndërkohë mbi 200 mijë të moshuar mbi 65 vjeç kanë marrë tashmë dozat e para.

Vaksinimi vazhdon për arsimtarët, ndërsa për policët është drejt fundit marrja e dozave të para.

Fushata është shtrirë edhe tek të sëmurët kronikë, ata me dializë apo sëmundje të tjera të rënda.

Gazetarët e terrenit janë vaksinuar gjithashtu.

Mbi 40 mijë doza të vaksinës britanike mbërritën mbrëmjen e 17 prillit në Shqipëri. Mbi 50 mijë të tjera pritet të mbërrijnë sot.

Vetë kryeministri pati paralajmëruar ardhjen e mbi 90 mijë dozave gjatë kësaj fundjave.

Ndërsa janë siguruar përmes kontratave të deritanishme, 2.1 milionë doza.

Më 11 prill, u mblodh sërish Komiteti i Ekspertëve, ku vendosi zgjerimin e fashës orare të lëvizjes deri në orën 22.00.

Ministria gjithashtu ju bën apel të gjithë qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë rregullat për parandalimin e COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore