Lajme

“Ulërinte si ujk dhe i rrihte të burgosurit” – Përfundon dita e parë e gjykimit ndaj Shalës, akuza të rënda për ish-komandantin e UÇK’së


Ka përfunduar seanca e parë ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shalës, në Gjykatën Speciale.

Seanca është caktuar të vazhdojë të mërkurën ku edhe pala mbrojtëse pritet t’i paraqes deklaratat mbrojtëse.

Shala akuzohet për krime lufte, ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë e vrasje të paligjshme, të kryera gjatë luftës, por ai ka mohuar të gjitha pikat  aktakuzës duke i cilësuar “trillime”.

“E kuptoj akuzën, por nuk pranoj asgjë, këto janë gjitha trillime”, tha Shala kur u pyet nga gjyqtarja e rastit.

Në anën tjetër, prokurori Filipo Deminiqes, ka deklaruar se Shala, i njohur si “Komandant Ujku”, ka marrë pjesë në transferimin e dëshmitarit me numër 4377 në fabrikën e metaleve në Kukës dhe se dëshmitari mban mend se Shala “bërtiste si ujk”.

Ai ka thënë se Shala ka marrë pjesë në rrahjet e viktimave, ku nga rrahja njëri nga viktimat vdiq dhe se “ishte i pranishëm në kohë kritike”.

“Shala ka luajtur rol domethënës në krimet e paraqitura në aktakuzë dhe do të bëhet e qartë nga disa dëshmitarë në këtë çështje”, është thënë nga prokurori Deminiqes.

Ai ka shtuar se këtu përfshihen edhe ushtarë të UÇK-së që kanë qenë të pranishëm në fabrikë gjatë periudhës së aktakuzës.

“Bërtiste si ujk dhe i rrihte të burgosurit”, akuzat e prokurorisë dhe avokatit të viktimave ndaj Shalës

Ndërsa avokati i “viktimave” Simon Laws, ka theksuar se në kohën e luftës rrëmbeheshin njerëz dhe dërgoheshin në fabrikën e metalit në Kukës.

“Vendimet për ndalimin merreshin në mënyrë krejt arbitrare. Kur ishin të ndaluar, i rrihnin dhe i digjnin. U vra një burrë dhe iu jeta e një të riu”, tha prokurori, duke shtuar se “i akuzuari Pjetër Shala ka gisht në këto krime. Viktimat nuk mund ta ngritnin zërin, nuk u lejohej të flisnin as me veti”.

Sipas tij, “në këtë proces do të dëgjohen zërat e atyre që vuajtën në Kukës”, por do të shpalosen edhe rastet e atyre që nuk jetojnë më.

“Ekziston klima e frikësimit në Kosovë ndaj atyre që pranojnë të flasin për këtë gjykatë. Këta viktima ishin mbështes të UÇK-së, jo kundër saj. Zotëri Shala duhet të pranojë fajësinë e tij edhe pse ai e mohon. Ai pretendon se këto janë përralla dhe për shkak të kësaj për llogari të atyre që kanë vuajtur do të ndihmojmë që zbulohet e vërteta”.

Pjetër Shala u arrestua me 16 mars të vitit 2021 nga autoritete belge.

Ndërsa transferimi i tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës u bë më 15 prill 2021.

Shala sipas aktakuzës ngarkohet me përgjegjësi penale individuale me forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhej në aktakuzë.

U.D i Prokurorit të Specializuar në Hagë Alex Whiting: S’po e gjykojmë UÇK-në, por individët që kryen krime

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore