
Prej qershorit, rritja e rasteve të reja me COVID-19 është parë me shqetësim në Shqipëri dhe pavarësisht se gjatë intervalit të fundit shtatë-ditor shifrat kanë parë rënie në vend, i gjithë Ballkani Perëndimor është i prekur nga vala pre-vjeshtore e virusit.
Madje, në një spektër edhe më të ashpër se sa ai i vitit të shkuar.
Teksa gjatë vitit 2021 rritja është parë me mbylljen e muajit gusht dhe fillimin e shtatorit, shtimi i ndjeshëm i rasteve me COVID-19 gjatë 2022-shit u pa me fillimin e korrikut e në vijim.
Për një periudhë të caktuar kohore, Shqipëria ka qenë edhe vendi me më së shumti raste ndër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, duke kapur shifrën prej mbi 400 rasteve për 1 milion banorë.
Gjatë javës së fundit ndërkaq, mesatarja e rasteve ndalet në 380 për milion banorë.
Kryesuese e listës për më shumë raste ditore është Mali i Zi, me 1 mijë e 474 për milion banorë. Serbia radhitet e dyta me 759 dhe Kosova e treta, ku për shkak të shtimit të rasteve në javët e fundit mesatarja ka shkuar në 728 për milion banorë.
Me mirë se Shqipëria ndërkohë renditet Maqedonia e Veriut me 329 raste dhe Bosnjë dhe Hercegovina me 92 për milion banorë.
Pjesa më e madhe e “përgjegjësisë” për këtë aspekt lidhet me zhbërjen e efektit të vaksinimit sipas ekspertëve dhe me neglizhencën e qytetarëve për t’u vaksinuar me doza të treta apo të katërtra përforcuese, sipas kategorive.
Një shqetësim i tillë ka ardhur edhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri, pasi është vënë re pikërisht rënia e fluksit të vaksinimit.
Nga ana tjetër, po sipas ekspertëve ndërkombëtarë të virologjisë, një valë e tillë e COVID-19 ishte e pritshme, edhe për shkak të hapjes thuajse tërësore të pjesës më të madhe të vendeve dhe shtimit të udhëtimeve.
Masat e munguara të distancimit social apo mungesa e kërkesës për mbajtjen e maskave në shumicën e ambienteve publike, kanë bërë që rastet të shtohen ndjeshëm edhe në vendet e Bashkimit Evropian apo në SHBA.
Ndaj, është duke u menduar edhe një plan i ri i masave, ku nuk do të duhet të bllokohet tërësisht ekonomia botërore, ashtu si ndodhi në vitin 2020.
Nga ana e Organizatës Botërore të Shëndetësisë ndërkohë, qëndrimi mbetet i njëjtë, duke promovuar masat e distancimit dhe vaksinimin e të gjitha kategorive sipas rekomandimeve.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Policia e Kosovës, për pak ditë, e shpëtoi shtetin dhe Albinin
-
Rama thotë se tashmë priten veç frytet nga Procesi i Berlinit
-
Rusia sulmon diplomatikisht Armeninë, gjithë fajin e dështimit të negociatave ia hedh Pashinyan-it
-
“Duhet hetim i plotë, si u futën 30 terroristë kaq të armatosur në Kosovë”, Buhler dhe Shea komentojnë sulmin në Veri