Shqipëria

Ulen aksidentet në korrik, por jo në krahasim me vitin e shkuar


Një rënie me 12.3% është shënuar gjatë korrikut të vitit 2021, për sa u përket aksidenteve rrugore në Shqipëri, krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2020.

Përkatësisht, gjatë korrikut, janë numëruar 114 aksidente rrugore në krahasim me 130 të ndodhura në korrik të 2020-ës.

Ndërsa, për sa i përket shtatëmujorit të vitit 2021, paraqitet një rritje prej 23.6% krahasimisht me shtatëmujorin e vitit të shkuar.

Këto janë përfundimet që nxjerr raporti i Institutit të Statistikave në Shqipëri (INSTAT), mbi aksidentet rrugore.

Mbi totalin, janë numëruar 785 aksidente rrugore në shtatëmujorin e parë 2021. Gjatë 2020-s, u regjistruan 635 të tillë.

Numri i vdekjeve dhe plagosjeve nga aksidentet u rrit po ashtu në shtatë muajt e parë të 2021-shit, krahasuar me 2020-ën.

Janë 175 persona të aksidentuar korrikun e këtij viti.  Një vit më parë, ishin 168.

Numri i të aksidentuarve në tërësi, për shtatë muajt e parë, ka shkuar në 1 mijë e 50, nga 824 që ka qenë.

Vdekjet dhe shkaktarët

Viktimat janë ulur me vetëm një, nëse krahasojmë dy muajt korrik të dy viteve. 13 kanë qenë për vitin 2021. 14, një vit më parë.

Sakaq, në krahasim me një vit më parë, është rritur numri i viktimave për shtatëmujorin e parë. 118 persona mbetën të vrarë nga aksidentet në 2021-shin, nga 88 në 2020-ën.

Pjesa më e madhe e aksidenteve vijon të jetë për faj të drejtuesve të mjeteve. Përkatësisht, 95.6% të rasteve. Këmbësorët kanë vetëm një përqindje të vogël të fajit.

Por, vërehet një rritje prej 20.6% e fajit të këmbësorëve për shtatëmujorin e parë të vitit 2021. Aksidentet, në 15,7 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e këmbësorëve.

Grup-moshat më të prekura janë 25-34 vjeç. Ato pasohen nga grupmosha 0-24 vjeç.

Në krahasim me të njëjtën periudhë, është ulur 20.5% numri i aksidenteve për faj të grupmoshës 25-34.

Qarku më i “aksidentuar” për muajin korrik është Tirana. Ai pasohet nga Fieri dhe Lezha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore