Lajme

Ukrainës i rikthehen 160 trupa të vdekur të regjimentit azov


Ukraina ka arritur të marrë në dorëzim 160 trupa nga mbrojtësit e Azovstalit, prej të cilëve mendohet se të paktën 52 janë nga regjimenti i luftëtarëve azov.

Nga ana tjetër, Kievi i ka kthyer Rusisë trupat e 160 ushtarëve të vrarë përgjatë agresionit rus në Ukrainë.

Është ky shkëmbimi i parë zyrtar mes dy shteteve, por nuk bëhet fjalë më për njerëz të gjallë.

Fati i të mbijetuarve të Azovstalit është ende i paditur, për shkak se bisedime mbi shkëmbimin e tyre nuk po zhvillohen.

Rusia e pat dakordësuar me Ukrainën fillimisht se regjimenti azov do të shkëmbehej për pengje ruse. Mirëpo, pasi ata u evakuuan nga Mariupoli, asgjë nuk mbeti më e njëjtë si në letër.

Moska e bëri të qartë se mund të kishte një gjykim të mirëfilltë për regjimentin azov. Madje, u mendua se mundet edhe të aplikohet një format i ngjashëm me atë të gjyqeve të Nurembergut, pas Luftës së Dytë Botërore.

E gjithë situata, gjithsesi, mbetet tërësisht e paqartë, në çastin kur asnjë nga palët nuk po flet më për luftëtarët ukrainas.

Këta të fundit, prej kohësh, mendohej se do të përdoreshin nga Rusia si përligjje e aksionit ushtarak në Ukrainë, duke qenë se mendohet se elementë neo-nazistë janë pjesë e trupave azove.

Këto, gjithsesi, mbeten akuza në letër dhe të pafaktuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore