Lajme

Ukrainë/Shoigu urdhëron tërheqjen e trupave nga kufiri


Ministri rus i mbrojtjes Sergei Shoigu, ka urdhëruar një numër njësish në zonë të kthehen në bazat e tyre. Kjo vjen pas disa javësh tensioni nga një grumbullim i trupave ruse afër kufirit të Ukrainës.

Bashkimi Evropian tha se më shumë se 100 mijë ushtarë rusë ishin vendosur pranë kufirit në Krime.

Shoigu tha se njësitë në stërvitje do të ktheheshin në bazë.

“Qëllimet e kontrolleve të parakohshme ishin arritur”, shtoi ai, njofton BBC.

Sipas tij, trupat kanë demonstruar aftësinë e tyre për të siguruar një mbrojtje të besueshme për vendin.

Ai  i ka udhëzuar komandantët e njësive nga ushtria 58 dhe 41 si dhe disa divizione ajrore të fillojnë të kthehen në “bazat e tyre të përhershme” të premten e 23 prillit për të përfunduar operacionin deri në 1 maj.

Përqendrimi i forcave në Krime, gadishullin që Moska aneksoi nga Ukraina në vitin 2014, është tani më i madh sesa gjatë aneksimit të Krimesë.

Të enjten, ministri i jashtëm i Ukrainës u bëri thirrje aleatëve perëndimorë të tregonin se ishin të përgatitur për të ndëshkuar Moskën me sanksione të reja, duke përfshirë përjashtimin e Rusisë nga sistemi global i pagesave bankare SWIFT, për të penguar Kremlinin që të përdorë më shumë forcë ushtarake.

Ndërtimi i ngjarjeve

Rajoni i Donbas-it dhe Krimesë vazhdojnë të jenë burim tensioni për raportet SHBA-Evropë-Rusi.

NATO dekretoi të martën e 13 prillit grumbullimin më të madh të trupave ruse në kufirin lindor të Ukrainës, ndërsa Kremlini kritikoi mbështetjen e Washington-it për Kievin.

Tensionet midis Rusisë dhe Perëndimit u ngritën për shkak të frikës se Moska po përpiqet të përshkallëzojë konfliktin e saj me Ukrainën për rajonin e Donbas-it.

Rusia ka paralajmëruar NATO-n ndaj dërgimit të trupave ushtarake për të ndihmuar Ukrainën. Këto paralajmërime, vijnë pas një raporti mbi zgjerimin e ushtrisë ruse në kufi me Ukrainën.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore