Lajme

Ukrainë-Rusi, përshkallëzimi i situatës


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, po shqyrton vendosjen e disa mijëra trupave amerikane, si dhe anijeve apo avionëve luftarakë në vendet aleate të NATO-s në Baltik dhe Evropën Lindore.

Referuar zyrtarëve të administratës amerikane, e përditshmja prestigjioze “New York Times” flet për një zgjerim të përfshirjes ushtarake amerikane.

Kjo, mes frikës në rritje të një inkursioni rus në Ukrainë.

Veprimi shihet si një sinjal për administratën Biden, e cila deri vonë po mbante një qëndrim të përmbajtur ndaj Ukrainës.

“Ndërsa presidenti rus Vladimir Putin ka shtuar veprimet e tij kërcënuese ndaj Ukrainës dhe bisedimet midis zyrtarëve amerikanë dhe rusë nuk kanë arritur ta dekurajojnë atë, administrata tani po largohet nga strategjia e saj ‘mos provoko'”, ravijëzon NYT-ja.

16 qershor 2021, Presidenti Joe Biden dhe Presidenti rus Vladimir Putin, mbërrijnë për t’u takuar në ‘Villa la Grange’, në Gjenevë, Zvicër.
Plani

Gjatë një takimi të së shtunës, zyrtarë të lartë të Pentagon-it i paraqitën Biden-it disa opsione.

Ata kërkojnë zhvendosjen e aseteve ushtarake amerikane shumë më afër pragut të Putin-it, thanë zyrtarët e administratës.

Opsionet përfshijnë dërgimin e një mijë deri në pesë mijë trupa në vendet e Evropës Lindore, me potencialin për ta rritur atë numër dhjetëfish nëse gjërat përkeqësohen.

Në rast të një pushtimi rus në shkallë të plotë, raporton NYT-ja, SHBA-të synojnë të largojnë shpejt trajnerët e tyre ushtarakë jashtë vendit.

Por është e mundur që disa amerikanë mund të qëndrojnë për të këshilluar zyrtarët ukrainas në Kiev, tha një zyrtar amerikan.

Situata në kufirin mes Ukrainës dhe Rusisë ka marrë vëmendjen e zhvillimeve globale.

Kjo, sidomos pas lajmit të evakuimit të personelit jo-thelbësor nga Ambasada Amerikane në Kiev. Gjermania gjithashtu po përgatit evakuuim të personelit të saj diplomatik.

Apo me dorëheqjen e shefit të marinës gjermane, Kay-Achim Schönbach pas komenteve për presidentin rus Vladimir Putin dhe krizën në Ukrainë.

Blinken

Për të kuptuar tensionin që ekziston mes palëve, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, deklaroi se “një forcë e vetme shtesë ruse” që hyn në Ukrainë “në mënyrë agresive” do të marrë një përgjigje të ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.

“Nëse një forcë e vetme shtesë ruse hyn në Ukrainë në mënyrë agresive, siç thashë, kjo do të shkaktojë një përgjigje të shpejtë, të ashpër dhe të bashkuar nga ne dhe nga Evropa”, tha Blinken për CNN të dielën e 23 janarit.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken

Komentet nga sekretari sqarojnë më tej pozicionin e SHBA-ve për çdo veprim ushtarak agresiv shtesë nga Rusia.

Kjo, pasi Rusia grumbulloi mbi 100 mijë  trupa në kufi me Ukrainën.

Blinken mbrojti të dielën gjithashtu mosgatishmërinë e administratës për të vendosur sanksione kundër Rusisë në mënyrë parandaluese.

“Kur bëhet fjalë për sanksionet, qëllimi i këtyre sanksioneve është të pengojnë agresionin rus”, tha ai.

Kanadaja

Autoritetet kanadeze po shqyrtojnë ndërkaq dërgimin e armëve të vogla në Ukrainë.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi kanadez “CBC”.

“Kanadaja po shqyrton në mënyrë aktive dërgimin në Ukrainë të armëve të lehta”, lexohet në deklaratë.

Mediat kanadeze raportojnë se armët e lehta, si dhe jelekët mbrojtës apo syzet po merren në konsideratë për t’u dërguar në Ukrainë.

Këto artikuj duhet të jenë pjesë e paketave të pajisjeve vdekjeprurëse dhe jo-vdekjeprurëse.

Sakaq, nuk është marrë asnjë vendim për paketën e ndihmës.

Megjithatë, burimet e CBC-së thanë se njoftimi pritet pas një takimi virtual të qeverisë kanadeze javën e ardhshme.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau njoftoi më herët se vendi do t’i japë qeverisë ukrainase deri në 120 milionë dollarë kredi.

Përveç kësaj, Kanadaja e pranoi nevojën për sanksione kundër Rusisë në rast pushtimi të Ukrainës nga ana e saj.

Gjermani

E përditshmja gjermane “Bild” raportoi gjatë së dielës se Ministria e Jashtme gjermane po përgatit një plan për të evakuuar familjet e diplomatëve të saj nga Ukraina.

“Një luftë midis Ukrainës dhe Rusisë po bëhet gjithnjë e më e mundshme. Ministria e Punëve të Jashtme po punon për një plan për të evakuuar të afërmit e punonjësve të ambasadës gjermane në Ukrainë”, lexohet në raport.

Sipas planit, zbulon “Bild”, ata duhet të nxirren jashtë vendit nëse situata përkeqësohet.

Ambasada gjermane në Kiev, Ukrainë

Fillimisht ishte Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kiev që kërkoi nga Departamenti Amerikan i Shtetit që të autorizojë largimin e të gjithë stafit jo-thelbësor dhe familjeve të tyre.

Ky lajm u raportua fillimisht nga gjiganti amerikan CNN dhe u njoftua më pas edhe nga e përditshmja britanike “The Guardian”.

Rreth 180 qytetarë amerikanë dhe 560 ukrainas punojnë në ambasadën amerikane në Kiev.

Kjo nuk përfshin anëtarët e familjes, kështu që numri i qytetarëve amerikanë që jetojnë në Ukrainë ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë.

Venezuela

Në polin tjetër, i vetmi reagim vjen nga autoritetet venezueliane.

Agjencia Ruse e Lajmeve (TASS) raportoi të dielën e 23 janarit se Venezuela është e gatshme të ofrojë ndihmë ushtarako-teknike për Rusinë.

Kjo, në rast se marrëdhëniet Rusi-SHBA përkeqësohen.

Deklarata erdhi nga ambasadori rus në Karakas, Sergey Melik-Bagdasarov.

“Absolutisht”, tha ai kur u pyet nëse Karakas-i zyrtar do të ishte në gjendje të ofronte ndihmë ushtarake dhe teknike për Moskën, nëse marrëdhëniet përkeqësohen ndjeshëm.

Ambasadori rus në Karakas, Sergey Melik-Bagdasarov

Ai kujtoi se bashkëpunimi ushtarak dhe teknik me Venezuelën filloi në vitin 2001 me nënshkrimin e një marrëveshjeje përkatëse.

“Specialistët tanë, të cilët riparojnë dhe mirëmbajnë pajisje ushtarake, po vazhdojnë me punën e tyre këtu. Ne po përforcojmë bindshëm aftësitë mbrojtëse të Venezuelës”, tha Melik-Bagdasarov.

Diplomati rus theksoi se format e ndihmës efektive nga Karakas-i mund të jenë të ndryshme.

“Venezuela ka një infrastrukturë portesh mjaft të zhvilluar. Ajo ka porte të ujërave të thella dhe porte civile. Ka një gamë të gjerë bazash të marinës venezueliane”, ravijëzoi në përmbyllje Melik-Bagdasarov.

Rusi-Ukrainë

Moska zyrtare i bëri thirrje të dielën e 23 janarit Zyrës së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar që të ndalojë përfshirjen në provokime.

Ky ishte reagimi i diplomacisë ruse ndaj një deklarate të fundit të kolegëve britanikë për planet që dyshohet se po bën Moska në lidhje me Ukrainën.

“Dezinformimi i përhapur nga Ministria e Jashtme Britanike është një tjetër dëshmi se janë vendet e NATO-s, që po përshkallëzojnë tensionet rreth Ukrainës”, theksoi përfaqësuesi rus për TASS.

Më herët, Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar deklaroi se udhëheqja ruse po shqyrton mundësinë e instalimit të një qeverie pro-ruse në Ukrainë.

Nga ana tjetër, dorëheqja e shefit të marinës gjermane, sipas ambasadorit ukrainas në Gjermani, Andriy Melnyk nuk ishte e mjaftueshme për të rikthyer besimin e plotë në politikën gjermane.

“Ndërsa Ukraina mirëpret dorëheqjen në kohë të shefit të marinës Kay-Achim Schönbach, ky hap nuk mjafton për të rikthyer besimin e plotë në politikën gjermane”, shkroi ambasadori në llogarinë e tij në rrjetin social Twitter.

Ambasadori vuri në dukje se qeveria gjermane duhet të ndryshojë kursin e saj për të mbështetur më shumë Kiev-in.

Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës i konsideroi kategorikisht të papranueshme deklaratat e komandantit të marinës gjermane Kay-Achim Schönbach.

Gjatë një fjalimi në Institutin për Studime dhe Analiza të Mbrojtjes “Manohar Parrikar”, zëvendës-admirali gjerman tha se Putin meritonte “ndoshta” respekt.

Ish-shefi i marinës gjermane Kay-Achim Schönbach

“Ajo që ai me të vërtetë dëshiron është respekti”, do të shprehej zëvendësadmirali.

Schönbach tha se veprimet e Rusisë në Ukrainë duhet të adresohen, por shtoi se “gadishulli i Krimesë është zhdukur: Nuk do të kthehet kurrë – ky është një fakt”.

Vërejtjet kundërshtonin drejtpërdrejt pikëpamjen zyrtare të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

Kufiri Rusi-Ukrainë mban të ngërthyer të gjithë diplomacinë dhe ekuilibrin të ndërtuar ndër dekada.

Autoritetet ruse janë të paralajmëruara edhe pse bëjnë thirrje të vazhdueshme për provokime nga aleatët “anglo-saksonë”.

Mes skenareve dhe gjendjeve të tensionuara në kufi, Ukraina dhe aleatët perëndimorë janë të përgatitur për precipitimin e situatës në kufi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore