Lajme

Ukrainë – Gjykata ngrin pronat e ish-presidentit Poroshenko


Gjykata e Pechersk-ut në Kiev ka vendosur që t’i konfiskojë asetet e ish-presidentit ukrainas, Petro Poroshenko.

Të menjëhershme ishin akuzat nga ana e opozitës për presidentin Volodymyr Zelenskiy, për sjellje autokratike.

Poroshenko, president nga viti 2014-2015, akuzohet për lehtësimin e blerjes së qymyrit nga kompanitë në Ukrainën Lindore të kontrolluara nga separatistët pro-rusë në luftë me Kievin.

Ai i ka mohuar akuzat.

Volodymyr Zelenskiy

Partia e Solidaritetit Evropian të Poroshenko-s e quajti vendimin e gjykatës “të paligjshëm, të padrejtë” dhe të hartuar për të heshtur kundërshtimin ndaj sundimit të Zelenskiy-t.

Ky i fundit nuk ka komentuar mbi vendimet e gjykatës, por më parë ka mohuar të ketë dashur të ushtrojë ndikim mbi prokurorët e shtetit ose gjyqësorin.

“Deklaratat aktuale nga partia e Poroshenko-s nuk janë befasuese”, tha Mykhailo Podolyak, këshilltar i Zelenskiy-t.

Më tej, ai u shpreh se “ata duhet të thonë diçka me zë të lartë për të tërhequr vëmendjen dhe për të mos shpjeguar ikjen de facto të Poroshenko-s jashtë vendit nga veprimet hetimore”.

Vladimir Putin

Statusi i ish-presidentit nuk jep privilegjin për të injoruar veprimet hetimore dhe seancat gjyqësore.

Gjykata ngriu gjithashtu asetet e dy kanaleve televizive, “Channel 5” dhe “Priamyi kanal”, të cilat Poroshenko i zotëronte deri në nëntor, përpara se t’i investonte në një kompani aksionere.

“Unë nuk jam avokat, por me sa kuptoj arrestimi s’do të thotë mbyllje. Kanalet vazhdojnë të funksionojnë”, tha zëdhënësi i Zelenskiy-t, Sergii Nykyforov.

Ukraina po përpiqet të sigurojë mbështetje ndërkombëtare në përplasjen e saj me Moskën, pasi dha alarmin për një grumbullim të dhjetëra mijëra trupave ruse pranë kufijve të saj.

“Qeveria, në vend që të konsolidojë shoqërinë ukrainase për të kundërshtuar Putinin, po nxit konfrontimin e brendshëm. Kështu dobëson në mënyrë të pamatur dhe të papërgjegjshme frontin kundër agresionit rus”, thuhet në një deklaratë të partisë së Poroshenko-s.

“Zelenskiy, si autokratë të tjerë, gabon duke besuar se sekuestrimi i aseteve dhe llogarive do të krijojë pengesa të pakapërcyeshme për aktivitetet e opozitës”, vijon deklarata.

Muajin e kaluar, prokurorët i kërkuan një gjykate ukrainase të arrestonte Poroshenko-n me mundësinë e lirimit me kusht të caktuar në 1 miliard hryvnia (37 milionë dollarë).

Poroshenko është jashtë Ukrainës që nga fundi i dhjetorit dhe ende nuk ka komentuar vendimin. Ai ka thënë se planifikon të kthehet në Ukrainë më 17 janar.

Petro Poroshenko

Zelenskiy mundi Poroshenko-n në zgjedhjet dërrmuese në vitin 2019 me një “biletë” për të luftuar korrupsionin dhe për të frenuar ndikimin e oligarkëve në vendin ish-sovjetik.

Partia e Zelenskiy miratoi një ligj vitin e kaluar, duke ndaluar oligarkët të financojnë partitë politike ose të zotërojnë stacione televizive. Partitë opozitare thanë se ligji përqendronte shumë pushtet në duart e Zelenskiy-t.

Poroshenko në nëntor tha se ishte detyruar të shiste kanalet televizive për shkak të ligjit të ri.

Të dy stacionet televizive publikuan komente nga aleatët e Poroshenko-s, që kritikuan vendimin e gjykatës.

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore