Shqipëria

Ukraina shpallet fituese e Eurovision 2022


Një natë absolutisht magjike e muzikës dhe kulturës evropiane është përmbyllur me kurorëzimin e Ukrainës si fituese e Eurovision Song Contest 2022, i cili u mbajt në Torino.

Kënga më e votuar prej jurive profesionale, ishte ajo e Britanisë së Madhe me 283 pikë.

Por me një votim thuajse plebishitar nga publiku, Ukraina arriti ta mposhtë britanikun Sam Ryder me thuajse 200 pikë diferencë në fund të mbrëmjes.

Emocionet e para, kishin të bënin me fjalët ndoshta më të dëgjuara në botë në dy muajt e fundit: Slava Ukraini!

Me këngën e tyre “Stefania”, Kalush Orchestra rroku zemrat e gjithë publikut, duke u kthyer jo vetëm në një prej këngëve më të dëgjuara nga Eurovisioni i këtij viti, por gjithashtu edhe në një himn të vërtetë për luftën në Ukrainë.

Një ogur i mirë erdhi edhe nga një videomesazh i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, përpara fillimit të spektaklit.

“Jam i bindur se djemtë tanë do të na nderojnë dhe do të sjellin në shtëpi trofeun për këngën më të mirë”, tha Zelensky për të motivuar artistët.

Në vendin e tretë, u radhit ndërkaq këngëtarja sensuale spanjolle Chanel, me këngën e saj “SloMo”. Suedia u radhit e katërta, ndërsa pesëshen, e plotëson Serbia.

Me një larmishmëri të vërtetë muzikore, që prej ritmeve folk të Evropës lindore miksuar me muzikën rap, tek tingujt elektronikë e dance, rock and roll-i, ekzotizmi latin apo baladat e pamungueshme, u mbyll edhe një edicion tepër i suksesshëm i festivalit më të madh kontinental.

Në një çast shumë të vështirë përçarjeje në të gjithë Evropën, arti dhe kultura treguan edhe një herë, se kanë fuqinë e përbashkimit.

Fryma e këtij Eurovision-i ka qenë ndër më mbresëlënëset ndër vite, ku përtej performancave dhe dashamirësisë që artistët kanë treguar me njëri-tjetrin, nuk kanë munguar as bashkëpunimet e ndryshme gjatë kohës jashtë konkurimit, me video që kanë gëluar në mediat sociale dhe kanë bërë gjithë evropianët e më gjerë të këndojnë, kërcejnë e dashurojnë së bashku.

Për t’u parë mbetet se si dhe ku do të zhvillohet Eurovision Song Contest 2023, në rast se lufta në Ukrainë vijon gjatë.

Por, për momentin, “Stefania” mund ta shijojë dhe këndojë e gjithë Evropa.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore