Lajme

“Ukraina nuk është e gatshme të bëjë kompromis për integritetin e saj territorial”


Ukraina nuk është e gatshme të bëjë kompromis për integritetin e saj territorial në bisedimet me Rusinë, por është e hapur për të diskutuar “modele jo-NATO” për të ardhmen e saj.

Kështu tha një nga negociatorët e saj për “Fox News”.

Ndërkaq Ukraina ka ndjekur anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO, të dyja të kundërshtuara nga Moska.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka përmendur anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës në NATO si dëshmi të asaj që ai e portretizon si agresion të NATO-s ndaj Rusisë.

“Përgjigjja që po marrim nga vendet e NATO-s është se ata nuk janë të gatshëm as të diskutojnë për ne në NATO, jo për periudhën e ardhshme prej pesë apo dhjetë vjetësh”, tha negociatori David Arakhamia në komentet e publikuara nga “Fox News” të shtunën vonë.

Ai shtoi se, “ne jemi të gatshëm të diskutojmë disa modele jo-NATO. Për shembull, mund të ketë garanci direkte nga vende të ndryshme si SHBA-të, Kina, Britania e Madhe, ndoshta Gjermania dhe Franca. Ne jemi të hapur për të diskutuar gjëra të tilla në një rreth më të gjerë, jo vetëm në diskutimet dypalëshe me Rusinë, por edhe me partnerë të tjerë”.

Delegacionet nga Ukraina dhe Rusia kanë pasur dy raunde bisedimesh që kur Rusia nisi sulmin ndaj fqinjit të saj më 24 shkurt.

Të enjten, palët ranë dakord të hapin korridoret humanitare për të lejuar civilët të dalin nga disa zona luftarake, megjithëse ka pasur vonesa në zbatimin e tyre.

Raundi tjetër i bisedimeve pritet të hënën, sipas palës ukrainase.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore