Lajme

Ukraina mund të armatoset me “paratë ruse”


Hetuesit e Departamentit amerikan të Thesarit dhe Drejtësisë po kërkojnë dhe sekuestrojnë jahte, prona dhe asete të tjera të Federatës Ruse.

Kjo, ndërsa vijon agresioni rus kundër Ukrainës që nga 24 shkurti.

Në Washington, kongresmenët Tom Malinowski nga New Jersey dhe Joe Wilson nga Karolina e Jugut po shtyjnë një nismë dypartiake (bipartizane) për të zbuluar se çfarë kompetencash ka dega ekzekutive për të likuiduar këto pasuri ruse.

Për këtë shkruan e përditshmja amerikane “New York Times”.

Kjo nismë është shumë e rëndësishme, sipas saj.

Megjithatë, përpjekjet për ta promovuar nuk janë mjaftueshëm të shpejta dhe këmbëngulëse për t’i siguruar Ukrainës atë që i nevojitet.

Lawrence Tribe, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Harvardit, shkruan për këtë në artikullin e prestigjozes amerikane.

“Edhe nëse Departamenti i Drejtësisë do të mund të shiste të gjitha jahtet dhe pronat e oligarkëve në muajt e ardhshëm, duke përdorur paratë e marra për ndihmën ushtarake dhe humanitare, ky proces do të ishte shumë i ngadaltë”, shpjegon profesori amerikan.

Paratë nuk do t’i siguronin Forcave të Armatosura të Ukrainës tanke, raketa të mbrojtjes ajrore, ushqime dhe ilaçe në kohën e duhur, shton ai.

Zgjidhja qëndron pikërisht në sipërfaqe. Presidenti amerikan Joe Biden mund të likuidojë dhjetëra miliarda dollarë të rezervave valutore ruse të mbajtura nga Banka Qendrore Ruse në llogaritë e SHBA-ve.

Sipas disa vlerësimeve, shuma totale arrin në 100 miliardë dollarë.

Këto asete tashmë janë ngrirë në Rezervën Federale dhe banka të tjera falë sanksioneve të vendosura nga Thesari Amerikan.

Të dhënat e reja për mizoritë e ushtrisë ruse e bëjnë praktikisht të pamundur heqjen e këtyre sanksioneve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore