Lajme

Ukraina mund ta eksportojë grurin përmes Polonisë dhe Rumanisë


Ukraina ka krijuar dy rrugë përmes Polonisë dhe Rumanisë për eksportet e grurit.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia Reuters, duke cituar zëvendës ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmitry Senik.

Sipas tij, Ukraina është duke negociuar me vendet baltike për krijimin e një korridori të tretë për eksportin e ushqimit.

“Këto rrugë nuk janë ideale, por ne po bëjmë çmos për t’i zhvilluar ato”, theksoi ai në margjinat e Samitit të Sigurisë Aziatike në Singapor.

Senik vuri në dukje se në territorin e Ukrainës ruhen deri në 30 milionë tonë drithë, të cilat duhet të eksportohen.

Edhe Turqia është në negociata me Rusinë dhe Ukrainën për të hapur një korridor përmes Bosforit për eksportet e grurit nga Ukraina, deklaroi më herët një zyrtar i lartë turk.

Portet e Detit të Zi të Ukrainës janë bllokuar që kur Rusia pushtoi Ukrainën në muajin shkurt dhe më shumë se 20 milionë tonë drithë kanë ngecur atje.

Rusia dhe Ukraina përbëjnë gati një të tretën e furnizimeve globale të grurit dhe mungesa e eksporteve nga Ukraina po kontribuon në rritjen e krizës globale ushqimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore