Lajme

Ukraina gati të blejë dozat AstraZeneca nga vendet që e kanë ndaluar


Ndërsa shqetësimet pwr sigurinë i shtyjnë vendet e Evropës Perëndimore të kufizojnë përdorimin e vaksinave AstraZeneca, Ukraina po mundohet të blejë dozat e padëshiruara, nga vendet e unionit. Danimarka e ka ndaluar përdorimin e AstraZeneca-s plotësisht këtë javë, nismës i janë bashkuar edhe Republika Çeke, Letonia dhe Lituania.

Qeveria në Kiev, e cila ka patur vështirësi për të siguruar furnizimet me vaksina, bën me dije se ka disa muaj që bisedon me Bashkimin Evropian (BE) për t’i administruar.

Evropa Lindore, javët e fundit, ka qenë epiqendra globale për vdekjet nga Covid-19. Kjo e ka lënë rajonin të dëshpëruar për më shumë doza vaksinash.

Programi i inokulimit në Ukrainë është ndër programet më të ngadalta në Evropë. Ky fakt i ka bërë njerëzit më të prirur të lënë mënjanë frikën e mpiksjes së gjakut dhe të pranojnë vaksinën AstraZeneca.

“Askush nuk do ta refuzojë vaksinën”, tha Ministri ukrainas i Shëndetësisë, Maksym Stepanov. “Përfitimet nga vaksinat e aprovuara, e tejkalojnë rrezikun e efekteve anësore”.

Vonesa në dërgesa

Edhe pse Ukraina ka nënshkruar për 32 milionë doza, me AstraZeneca-n dhe Sinovac-un, më pak se 1 milionë të tilla kanë mbërritur deri tani. Dërgesat e AstraZeneca-s u vonuan si pasojë e rritjes së  infeksioneve në Indi, aty ku ndodhet prodhuesi. Deri më tani, nga 42 milionë banorë që ka Ukraina, janë vaksinuar vetëm 433 mijë persona.

Qeveria ka refuzuar vaksinën Sputnik V të Rusisë, edhe pse po përdoren nga një vend i BE si Hungaria. Kjo ka ndodhur si pasojë e tensioneve midis qeverive në Kiev dhe Moskë, të ndezura përsëri kohët e fundit.

Situata shëndetësore, ndërkohë, po bëhet më urgjente. Rastet e reja ditore kanë kapur shifra rekord duke kaluar 20 mijë persona.

Sipas Stepanov, asnjë ofertë nuk është bërë nga vendet e BE-së për shitjen e dozave të padëshiruara.

Problemet e tjera.

Një studim i marsit zbuloi se ndërsa pothuajse gjysma e popullsisë dëshiron të vaksinohet, më shumë se dy të tretat do ta refuzonin vaksinën e AstraZeneca-s. Kjo, edhe pse më pak se 0.25% e ukrainasve që e kanë marrë AstraZeneca-n, kanë raportuar efekte anësore.

Stepanov deklaroi që arsyeja kryesore për ritmin e ngadaltë të inokulimit është mungesa e dozave dhe jo hezitimi apo frika.

Ministri bëri me dije se Ukraina është në bisedime për të siguruar 16 milionë doza të tjera vaksine këtë vit. Ritmi i vaksinimeve do të rritet deri në 5 apo 6 milionë doza në muaj, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore