Kosova

Ujdia për energji, Krasniqi: Humbëm 7 vjet nga papjekuria politike e Kurtit


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se për shkak të papjekurisë politike të kreut të Vetëvendosjes, kryeministrit Albin Kurti, janë humbur shtatë vjet në zbatimin e marrëveshjes për energji në veri.

“Lajmi i mirë është që Kurti dhe Qeveria e tij po e kuptojnë që këto marrëveshje kanë qenë për të mirën e vendit dhe për ta integruar në sistemin jo vetëm energjetik, por edhe legal të Kosovës së veriut”, tha Krasniqi në një intervistë për Ekonomia Online.

“Lajm i keq është se kundërshtimi i tyre dhe papjekuria e tyre politike na kanë humbur 7 vjet si në këtë rast. Përgjegjësitë dhe obligimet e tij janë që të punojë në interesin e qytetarëve të Kosovës dhe interesin e shtetit tonë si njësi e rregulluar brenda Kushtetutës që e kemi”, tha Krasniqi.

Përderisa sa i përket aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, sipas tij, Qeveria nuk është koordinuar me partnerët ndërkombëtar.

Krasniqi thotë se kjo mundësi nuk ka humbur ende, por duhet një ndërrim i qasjes dhe i mentalitetit qeverisës.

“Fatkeqësisht tashmë është bërë evidente vetë fakti i mos futjes në rend të ditës në Këshillin e Ministrave të Këshillit të Evropës dhe kërkesa jonë dhe aplikimit për anëtarësim që ministria e Jashtme dhe Qeveria Kurti nuk e kanë koordinuar këtë veprim dhe këtë aplikim me partnerë ndërkombëtar dhe para së gjithash me shtetet e QUINT-it”.

“Komplet e palogjikshme një gjë e tillë edhe pse kjo ka qenë mundësi ideale pas përjashtimit të Rusisë dhe Bjellorusisë nga ana e këshillit të Evropës që të ndërmerren veprime konkrete për anëtarësimin tone. Kjo mundësi nuk ka humbur ende, por duhet një ndërrim i qasjes dhe i mentalitetit qeverisës në nivel jo vetëm të ministrisë së jashtme por edhe qeverisë për të arritur sukses e që duket se me këtë mentalitet nuk do të ketë sukses”, tha Krasniqi.

Me 21 qershor, i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, përmes një njoftimi në rrjetin e tij social në Twtiter, ka lajmëruar se marrëveshja për energjinë në mes të Kosovës dhe Serbisë, është arritur.

“Me kënaqësi ju njoftoj se Kosova dhe Serbia sapo miratuan Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky është një hap i madh përpara”, ka shkruar Lajçak.

Marrëveshja e nënshkruar mes të Kosovës dhe Serbisë në sektorin e energjisë thotë se Zyra e Rregullatorit të Energjisë do t’i lëshojë një licencë furnizimi Elektrosever, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.

“Brenda shtatë ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do t’i sigurojë KEDS-it dhe KOSST-it të dhënat më të fundit të disponueshme për konsumatorët”, thuhet në pikën e dytë të marrëveshjes së arritur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore