Sport

UEFA krijon Konventen për të Ardhmen e Futbollit Europian


UEFA po krijon një proces të rëndësishëm konsultimi për të bashkuar të gjithë aktorët e futbollit europian drejt reformave afatgjata që pritet të ndodhin. Dita e premte e 21 majit shënon fillimin e këtij procesi të rëndësishëm për të ardhmen e futbollit.

Konventa për të Ardhmen e Futbollit Europian do të bashkojë përfaqësues të shoqatave kombëtare të futbollit, ligave, klubeve, lojtarëve, trajnerëve, tifozëve dhe agjentëve për të diskutuar politikat afatgjata dhe reformat mbi qeverisjen.

Konkretisht, Konventa do të synojë të sigurojë zhvillim në katër pika kyçe, që do të ofrojnë stabilitet dhe forcim të futbollit europian për të shkuar përpara:

1-Sigurimi i qendrushmërisë dhe përgjegjësisë financiare

2-Forcimi i konkurencës, shpërndarjes së solidaritetit dhe zhvillimit të lojtarëve

3-Vendosja e masave më të qendrueshme të qeverisjes së mirë brenda ligave dhe në futbollin ndërkombëtar

4-Përparimi i zhvillimit të futbollit të femrave dhe ngritja e statusit të tij në të gjitha nivelet

Bazuar në partneritetin e UEFA me Bashkimin Europian dhe Këshillin e Europës, këto organizata do të ftohen të caktojnë vëzhgues në Konventë. Gjithashtu pritet të ketë pjesëmarrje edhe të FIFA dhe konfederatave të tjera.

Raundi i parë i konsultimit do të zhvillohet në korrik të 2021, që përkon me javën e fundit të Kampionatit Europian të Futbollit, Euro 2020. Raundi i dytë i konsultimeve do të zhvillohet në shtator të 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore