Sport

UEFA hap porcedurat disiplinore për incidentin në ndeshjen e PSG-së kundër Basaksehir-it


Organi më i lartë i futbollit në Europë, UEFA, ka hapur procedurat disiplinore kundër gjyqtarëve, Sebastian Constantin Coltescu-t dhe Octavian Sovre-s. Gjyqtarë të ngarkuar për ndeshjen e Ligës së Kampionëve midis PSG-së dhe Istanbul Basaksehir-it, më 8 dhjetor 2020.

Dy zyrtarët rumunë janë akuzuar për përdorimin e gjuhës raciste ndaj ndihmëstrajnerit të ekipit turk dhe ish-sulmuesit, Pierre Webo-s.

Lojtarët dhe anëtaret e ekipit të Basaksehir-it kërkuan që loja të pezullohej pasi zyrtari i katërt u referua Webo-s me termin “ai i ziu”, në minutën e 15’ të takimit.

Skuadra turke vendosi të largohej nga fusha. Dy yjet e PSG-së, Kylian Mbappe dhe Neymar-i, kërkuan sqarime te arbitri i katërt, duke mbështetur dhe vendimin e turqëve për të lënë lojën.

Dueli u pezullua dhe u luajt një ditë më vonë, ku u zëvendësuan të katërt gjyqtarët dhe kryesor u vendos holandezi, Danny Makkelie.

Para fillimit të takimit, të gjithë lojtarët dhe gjyqtarët u vendosën në rrethin e fushës, me një gju në tokë dhe duke ngritur një grusht, si shenjë kundër racizmit.

PSG e mundi Basaksehir-in me rezultatin 5-1.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore