Shqipëria

Udhëtimi i Kadaresë nga poezia si përfytyrim, në tokën e Kosovës


Tetor i vitit 1972. Ismail Kadare do të shkelte për herë të parë në Kosovë.

Nga dokumentimet e kohës, një poezi e vitit 1966 tregonte se e kishte parë peizazhin e saj nga lart.

Ashtu të ndarë në copëra, që dukej edhe më tej gjysmëtar nga krahët e avionit.

Gjithë Rrafshi i Dukagjinit, zbuluar menjëherë pasi avioni kishte kaluar Bjeshkët e Namuna, ishte i pafund, i përthyer, i afërt për secilin bashkëkombës, njëkohësisht më i largët se viset përtej oqeanike, i njohur dhe njëkohësisht enigmë.

Kthehemi në vitin 1966.

Ende gjithçka ishte e ngrirë mes dy shteteve dhe dukej se, që nga përmbytja ballkanike, ky vend, mes reve të rënda, gjëmimeve, në të cilin vetëtimat dukeshin si përshëndetje, që dukej dhe zhdukej i zymtë mes gri-së së rëndë të reve, ishte e do të mbetej edhe më tej molla e sherrit mes dy vendeve.

Kishte pasur një periudhë të dyfishtë qetësie por, si gjithçka tjetër mes dy kombeve të rënë në mëri shekullore, kishte qenë një paqe e rremë, megjithëse herën e parë gjithçka ishte shfaqur si një ndër aktet më të lashta të tragjedive epike e, më pas, si një butafori vrasëse.

Herën e parë kur, “Kosova ishte bërë Shqipëri” e herën e dytë, “Kur Shqipëria desh bëhej Jugosllavi”.

Të dyja periudhat kishin qenë të shkurtra, nga katër vjet, jo më shumë, por dallimi kishte qenë ndoshta nga më epokalët.

Herën e parë, përmes shkollave, herën e dytë përmes emisarëve politikë.

Ndërsa Shqipëria e vjetër kishte dërguar mësuesit e saj më të mirë, prirë, po ashtu, nga një poet i shquar, të cilit rasoja fashiste nuk ia kishte hequr enigmën dhe një brerore të habitshme, Koliqi; herën e dytë gjithçka kishte ardhur përmes emisarëve, që kishin gjithfarë “iç-ësh” pas vetes, por më shumë kamat e dala që në zanafillën e saj nga ajo që njihej si, Fusha e Mëllenjave nga serbët, dhe Kosovë, nga shqiptarët.

Në këtë fushë do të rrinte Kadare në tetorin e vitit 1972, dhe ajo, fusha e dikurshme e përgjakur, tashmë e heshtur, me pak mjegull anash, e ftohtë, si gjithçka në pragun e dimrit, ishte në të njëjtën kohë edhe fillesa e mashtrimit, ngritjes së një historie ndryshe e që, për çudi, monumenti i ngritur në mesin e saj nuk është për fitimtarët, por për të mundurit.

Kështu e përshkruante gazetari Bedri Islami vizitën e autorit shqiptar Ismail Kadare në Kosovë asokohe.

KOSOVA – Ismail Kadare (1966)

“Sa herë kam kaluar mbi qiellin tënd, Kosovë,

Midis reve të tua të rënda, gjëmimeve të tua.

Ca pika shiu u rrokullisën nga dritarja e avionit, diç thanë.

(As ato s’mund t’i prek dot, janë përjashta),

Një vetëtimë që kaloi përbri m’u duk se ma bëri me dorë.

E pra. Ky është shiu yt, retë e tua, bubullimat e tua.

Ca sinjale të shpejta, xixëllima mendimi inkandeshente.

Kurse kurrizi i gjerë i tokës sate vrapon diku poshtë,

Duket e zhduket i zymtë midis zgavrave dhe humnerave të reve.

Largohemi vazhdimisht. Tani ti mbete prapa.

Tani krahu i avionit në qindra copa të pret.”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore