Shqipëria

Udhëkryqet e profesionit dhe Tirana si qendër


Jeta është përplot udhëkryqe, të rëndësishme dhe të parëndësishme, njëkohësisht. Dy prej më kryesoreve janë ai i profesionit dhe studimeve.

Studimet janë një nga zgjedhjet më të vështira për këdo nga ne. Mes zgjedhjes për të vazhduar studimet në vendin ku jemi rritur apo jashtë shtetit mbetet kryefjala e këtyre viteve, sidomos në rajon. Por çfarë ndodh në kryeqytet?

Përveç studentëve që vijnë nga anë e mbanë Shqipërisë, nëpër universitetet publike dhe private të Tiranës çdo vit vijnë rreth 300 studentë nga vendet e rajonit.

Kjo shifër është dyfish më e ulët në krahasim me 600 që janë vendet e lira për studentët nga Kosova, Mali i zi, Maqedonia, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci.

Sipas të dhënave të Ministrisë së arsimit, sportit dhe rinisë, këto 600 kuota ndahen:

208 nga Mali i zi, 119 nga Kosova, 147 nga Maqedonia, 61 nga Presheva, 56 nga Bujanoci dhe 9 nga Medvegja.

Në tre vitet e fundit ka qenë një mesatare prej 290 studentëve nga trojet që Tiranën e kanë zgjedhur si destinacionin e tyre për të kaluar jetën studentore.

Si është jeta në Tiranë për ta, pse e kanë zgjedhur pikërisht Tiranën, sa i vështirë ka qenë ambientimi në një shtet tjetër, e disa të dhëna të tjera na japin në intervista ekzkluzive për Albanianpost, të punësuar dhe studentë nga trojet që jetën po e vazhdojnë në Tiranë.

Shpat Gjota, nga Kosova, është student i diplomuar për degën “Laborant Dentar” në dy universitete të ndryshme dhe aktualisht i punësuar në “Dental Group”, për Albanianpost, ai dha një intervistë të detajuar për zgjedhjet e tij.

“Arsyeja kryesore pse e zgjodha Tiranën është sepse ishte alternativa e vetme për drejtimin që une doja të vazhdoja studimet.”

Gjota thekson se jeta studentore në Tiranë është një ndër periudhat më të mira të jetës së tij dhe kjo është edhe arsyeja pse ai ka zgjedhur që edhe pas studimeve, jetën të vazhdojë në Tiranë, këtë herë si i punësuar.

“Vazhdova punën këtu sepse isha shumë i mësuar me jetesën dhe dinamikën e Tiranës. Mendoj që Tirana është vendi ideal për fillimet e çdo karriere, mundësitë janë shumë të mëdha që të formohesh fortë profesionalisht.”

Planifikon që të shpenzoj edhe disa vite në Tiranë, dhe pastaj të kthehet në Kosovë ku mendon që të hap laboratorin e vet si Laborant Dentar dhe të ndërtoj një karrierë të pasur.

Por, Gjota tregon edhe një periudhë të “errët” të tij në Tiranë, kur madje edhe ishte afër që të kthehej për të vazhduar studimet në Kosovë.

“Ishte fundi i vitit të parë, ishte periudha e verës dhe të gjithë shokët ishin kthyer për shkak se kishin përfunduar vitin akademik.”

“Në ato momente u ndjeva shumë keq, shumë i vetmuar dhe vendosa që për të shmangur këto momente, zgjidhja më e mirë ishte që studimet të i vijoja në Prishtinë”.

“Atje do kisha shoqërinë time më të mirë, do isha më afër shtëpisë, dhe në atë moment mendova se ky vendim ishte i duhuri.”

Shpati rrëfen që arsyeja kryesore që ky vendim u kthye prapa, ishte një bisedë përmes telefonit me prindërit e tij.

“Ishin prindërit ata që më inkurajuan që të vazhdoj tutje, ta vazhdoj këtë rrugëtim, pata një bisedë të gjatë me ta, dhe të them të drejtën, sot e asaj dite ju falënderohem të për atë bisedë.”

Ky moment ishte ai që Gjotën e bëri të perceptojë gjërat ndryshe, të shoh jetën edhe me një sy tjetër.

“Kuptova që ka vështirësi, pa dyshim, kuptova që në këtë qytet ka edhe ditë negative, ditë që jam i vetmuar dhe momente kur vështirësitë duhet t’i kaloj vetë.”

Tirana përsëri është vendi i tij i prefuar, por ai thotë që nuk e kupton zilin që një pjesë e qytetarëve e shprehin ndaj Kosovarëve.

“Ndjejë që ndonjëherë më shohin më sy të keq, me mendimin që “ja erdhi ky nga Kosova dhe na zuri vendin” dhe kjo nuk më pëlqen aspak.”

Por përsëri, ai thotë se po flet vetëm për një rreth të limituar njerëzish, dhe se ka shumë persona në Tiranë që e bëjnë të ndjehet i pranuar, i ndihmojnë dhe madje ka shoqëri shumë të mirë me ta.

Për gjërat që e bezdisin, Gjota thotë se nga perceptimi i një personi që nuk është lindur dhe nuk ka shpenzuar jetën në Tiranë, disa nga protestat që organizohen, i duken pa sens dhe mund të shmangen.

Me gjithë pozitivet dhe negativet, ai thotë se ka mësuar nga çdo gjë e vogël në Tiranë, dhe se kjo e ka rritur shumë si person, duke mësuar se si të sillet në momente të vështira dhe si t’i jetoj momentet e bukura.

Studentët që vijnë më së shumti në Tiranë, edhe pse numrin e kuotave për pranim e kanë më të vogël, janë nga Kosova, por nuk mungojnë edhe studentët nga Maqedonia.

I tillë është edhe Besim Sinani nga Kumanova, i cili është student në vitin e dytë Bachelor në Tiranë.

Në një intervistë me shkrim për Albanian Post, ai tregoi motivet se pse ka zgjedhur Tiranën për të vazhduar studimet.

Në fakt dy arsyet e Besimit ishin edhe interesante:

“Nuk jam shumë i mirë me gjuhën maqedonase andaj edhe zgjodha Tiranën. Arsyeja tjetër është që fakultetet në Maqedoni nuk ofrojnë kushtet që më nevojiten.”

Besimi foli edhe për jetën në Tiranë dhe krahasimi i saj më atë të Maqedonisë, në fokus ai kishte dy kryeqytetet duke thënë që jeta për një student në Tiranë, është relativisht më e lirë se sa jeta për një student në Shkup.

“Çdo fillim është i vështirë, por me kohë u ambientova më mirë se sa ç’prisja. Respekti që kisha nga çdo qytetar dhe shokë klase, ishte shumë i lartë.”

Besimi tha që nuk e mendon që të vazhdoj jetën në Tiranë pas studimeve.

Studenti nga Kumanova u shpreh: “Nuk e mendoj që ta vazhdojë jetën këtu për shkak se gjithë familja ime gjendet në Maqedoni dhe atje kam mundësi më të mira për punë. Për mua Tirana do jetë gjithmonë shtëpia e dytë.”

Peja është vendi nga Kosova që ka më së shumti studentë që preferojnë Tiranën, së bashku me Gjakovën, dhe një student i qytetit më perëndimor në Kosovë, i quajtur Enes Shala, vazhdon studimet në Tiranë, ku po kalon vitin e dytë të studimeve.

Për shkak të pamundësisë që ta takojmë sepse gjindej në Kosovë, Enesi dha një prononcim përmes telefonit për Albanianpost.

“Jam shumë i lumtur të tregoj për jetën time në Tiranë, realisht është vend që më ka ndryshuar tërësisht si person, gjithmonë për të mirë.”

Për shkak të Covid-19, Shala shumicën e kohës vijon me mësim online.

“Më mungon Tirana, vij herë pas here aty, kam krijuar një shoqëri të mirë, të cilët më kanë mirëpritur me respektin më të madh.”

Enesi zbuloj që do e vazhdoj jetën në Tiranë edhe pas studimeve.

“Për shkak të pandemisë, isha i detyruar që më shumë kohë të shpenzoj në Kosovë. Plani im është që pasi të përfundoj me studimet, të kërkojë punë dhe të vazhdojë jetën në Tiranë. Është sinqerisht një vend që më bënë te gjejë veten time më së miri.”

Për këtë periudhë Enesi u shpreh që e bëri ta kuptojë që Tirana është vendi ideal për të.

“U mësova me jetën në një metropol, kur Covid-19 më detyroi që të kthehem në Kosovë për karantinën, u ndjeva shumë keq dhe më mungonte pa masë Tirana.”

“E dua Pejën, por ndryshimi me Tiranën është i madh dhe kjo është ajo që vlenë për mua. E dua jetën në Tiranë, dhe shpesh herë planifikoj për një të ardhme aty.”

Jetesa në Tiranë sipas Enesit është pak a shumë e njejtë me jetën që zhvillon ai në Pejë.

“Normalisht, si një metropol, Tirana ndonjëherë ka edhe shpenzime më të mëdha në gjëra të ndryshme, por në aspektin e gjërave elementare në jetë, kosto e shpenzimeve është e njejtë me atë të Pejës.”

Duket se të rinjtë Kosovarë, para se të ndërtojnë një karrierë në Kosovë, preferojnë që startin ta kenë në Shqipëri, përkatësisht në Tiranë.

Siç edhe shihet, jeta për një studentë nga trojet në Tiranë është e mirë dhe e përballueshme .

Sipas tyre, kryeqyteti i Shqipërisë, është një vend që ofron shkollim më cilësor se sa vendet tjera të rajonit.

Me gjithë të mirat dhe të këqijat, për një shtetas tjetër, Tirana është vendi ideal që të rritet edhe si njeri, edhe si student por edhe profesionalisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore