Lajme

Udhëheqësit botërorë dënojnë vendimin e SHBA-ve si “hap pas” për abortin


Dhënia fund e mbrojtjes kushtetuese për abortet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është përshkruar si një lëvizje “pas” nga liderët botërorë dhe organizatat shëndetësore.

Nga ana tjetër, kjo u jep një shtysë të madhe grupeve pro-jetës në mbarë botën.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Boris Johnson, të gjithë e kanë dënuar anulimin e vendimit historik “Roe vs. Wade” nga Gjykata Supreme.

Kurse kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, ka thënë se vendimi ishte “jashtëzakonisht shqetësues”.

“Të heqësh të drejtën themelore të një gruaje për të marrë vendime mbi trupin e vet është tepër shqetësuese”, ka thënë ajo.

Kohët e fundit, në Zelandën e Re janë ndërmarra hapa për të dekriminalizuar abortin dhe për ta trajtuar atë si një çështje shëndetësore dhe jo si çështje penale.

“Ky ndryshim bazohet në besimin themelor se është e drejta e një gruaje për të zgjedhur. Njerëzit kanë absolutisht të drejtë të kenë bindje të thella për këtë çështje. Por këto besime personale nuk duhet të privojnë kurrë një tjetër nga marrja e vendimeve”, ka thënë ajo.

Dhe se humbja e atij parimi në SHBA është humbje për gratë në të gjithë botën.

“Kur ka kaq shumë çështje për të trajtuar, kaq shumë sfida me të cilat përballen gratë dhe vajzat, kemi nevojë për përparim, jo ​​për të luftuar të njëjtat beteja dhe për t’u kthyer pas në kohë”, ka theksuar.

Sakaq, Johnson e ka përshkruar vendimin e gjykatës si një “hap të madh prapa”.

Ndërsa Trudeau ka thënë se “asnjë qeveri, politikan apo burrë nuk duhet t’i thotë një gruaje se çfarë mund dhe nuk mund të bëjë me trupin e saj”.

Agjencia e OKB-së që merret me shëndetin seksual dhe riprodhues ka treguar se të dhënat globale kanë nxjerrë se kufizimi i aksesit e bën abortin më vdekjeprurës.

Sakaq, Fondi i Popullsisë i OKB-së ka nxjerrë një deklaratë pas vendimit të gjykatës duke vënë në dukje se një raport i vitit 2022 thoshte se gati gjysma e të gjitha shtatzënive në mbarë botën ishin të paqëllimshme.

Dhe se mbi 60 për qind e këtyre shtatzënive mund të përfundonin me abort.

“45 për qind e të gjitha aborteve në mbarë botën janë të pasigurta, duke e bërë këtë një shkak kryesor të vdekjes së nënës”, ka pohuar agjencia.

Nga ana tjetër, thuajse të gjitha abortet e pasigurta kanë ndodhur në vendet në zhvillim. Kështu, “më shumë aborte të pasigurta do të ndodhin në mbarë botën nëse aksesi në abort bëhet më i kufizuar”.

Përmbysja nga gjykata e vendimit historik “Roe vs. Wade” tregon se “këto lloj të drejtash janë gjithmonë në rrezik për t’u shkelur”, ka theksuar aktivistja Ruth Zurbriggen.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore