Lajme

“UÇK-ja s’do e kishte përkrahjen ndërkombëtare, nëse do të planifikonin veprime kriminale”, thotë mbrojtja e Thaçit


Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Gjykata Speciale në Hagë ka publikuar dosjen paraprake të mbrotjes së ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, avokati Gregory Kehoe, në dosjen 82 faqesh e ka quajtur “selektive paraqitjen e Gjykatës Speciale karshi ngjarjeve historike në Kosovë”.

Sipas mbrojtjes së ish-presidentit, nëse do të kishte plan kriminal, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk do ta gëzonte përkrahjen e komunitetit ndërkombëtarë.

“Nëse UÇK-ja do të kishte vepruar në bazë të një plani kriminal për vrasjen, torturimin dhe abuzimin e civilëve, ajo nuk do të kishte pasur kurrë mbështetjen e SHBA-së, Britanisë së Madhe, NATO-s, OSBE-së, Grupit të Kontaktit, apo komunitetit më të gjerë ndërkombëtar”.

Ndërsa, ka kundërshtuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pasi të njëjtit konsiderojnë se ajo po bazohen në një keqinterpretim dhe selektim të ngjarjeve.

“Kosova e pavarur nuk është më rezultat i një lufte, të mbështetur nga aleatët ndërkombëtarë, për liri nga regjimi represiv dhe brutal serb. Në vend të kësaj, sipas ZPS-së, shtetësia e Kosovës është rezultat i një plani kriminal kompleks dhe të gjerë për të fituar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes kryerjes së krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës, nën sytë vigjilentë të po këtyre aleatëve ndërkombëtarë”.

Gjykata Speciale.

Tutje nga Gregory Kehoe, është arsyetuar se Thaçi dhe anëtarët e tjerë të UÇK-së nuk kishin asnjë politikë për të kryer krime kundër kundërshtarëve.

“Ashtu si të gjitha strukturat ushtarake dhe të sigurisë, edhe ato të sapolindura si UÇK-ja, ruajtja e sigurisë së brendshme nga kërcënimi i atyre brenda shërbimeve sekrete serbe, apo puna me autoritetet serbe, ishte shqetësim për të gjithë UÇK-në”.

“Si në të gjitha konfliktet e armatosura historikisht, pati përpjekje për të parandaluar infiltrimin e atyre që synonin të dëmtonin UÇK-në dhe pjesëtarët e saj, por nuk kishte asnjë politikë për t’i nënshtruar ata ndaj krimeve të luftës apo krimeve kundër njerëzimit përmes një sulmi të gjerë dhe sistematik”.

Në dosjen e avokatit dorëzuar Gjykatës gjithashtu thuhet se mungon narrative e ZPS-së për shqiptarët e zhvendosur.

Edhe largimi i 863 mijë shqiptarëve nga forcat serbe u paraqit si një lëvizje e ushtarëve të UÇK-së.

“863,000 shqiptarë të Kosovës u larguan për të shpëtuar jetën e tyre në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi, ndërsa u vunë në shënjestër nga forcat serbe që synonin largimin e tyre. 590,000 njerëz të tjerë u zhvendosën brenda vendit. Kjo është paraqitur nga ZPS-ja si “lëvizje” e ushtarëve të UÇK-së dhe e një numri të madh civilësh shqiptarë në zonat ku UÇK-ja tashmë kishte krijuar objekte dhe personel”, ka deklaruar mes tjerash mbrojtja e Thaçit.

Dosjen e plotë të publikuar nga Gjykata Speciale në Hagë mund ta gjeni duke klikuar këtu.

Për çka po akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi

Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore