Auto

Uber-i do të paguajë 9 milionë dollarë për raportimet e abuzimeve seksuale


Kompania transportuese, Uber, do të paguajë nëntë milionë dollarë për të zgjidhur një ankesë mbi raportimin e sulmeve dhe ngacmimeve seksuale në Kaliforni.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se sipas Komisionit të Shërbimeve Publike të Kalifornisë (CPUC), Uber-i duhet të dorëzonte informacione lidhur me sulmet dhe ngacmimet.

Mirëpo, kompania nuk e ka bërë këtë, duke argumentuar se do të ishte një “shkelje tronditëse e privatësisë” për viktimat.

E reduktuar nga një gjobë fillestare prej 59 milionë dollarë, pagesa do të ndihmojë në financimin e promovimit të sigurisë së pasagjerëve, ka bërë me dije CPUC-ja.

Lidhur me marrëveshjen mes Uber-it, CPUC-së dhe Rrjetit Kombëtar të Abuzimit, Përdhunimit dhe Incestit (Rainn), ajo i jep fund një mosmarrëveshjeje që ka zgjatur thuajse dy vjet.

E gjitha nëse Uber-i duhet të dorëzojë të dhënat për incidentet e raportuara që përfshijnë drejtuesit e kompanisë.

Sipas Uber-it, zbulimi publik i të dhënave të tilla mund të ishte traumatik për ata që ishin sulmuar dhe mund të dekurajonte raportimet në të ardhmen.

Edhe Rainn-i kishte ngritur shqetësime të ngjashme nëse zyrtarët e Kalifornisë do të ishin në gjendje të trajtonin informacionin e ndjeshëm me kujdesin e duhur.

Mirëpo, CPUC-ja ka pohuar se detajet e secilit rast individual do të mbaheshin sekret.

Në dhjetor 2020, një vit më pas, CPUC-ja gjobiti Uber-in me 59 milionë dollarë për refuzimin. Dhe pas apelit të kompanisë, ra dakord për shlyerjen e nëntë milionë dollarësh.

Tash e tutje, Uber-i do t’u ofrojë edhe raporte zyrtarëve të Kalifornisë, duke përdorur “identifikues unikë”, në vend të emrave, për të mbrojtur identitetin e individëve.

Në një deklaratë, kompania ka pohuar se ishte “e kënaqur që komisioni e miratoi këtë marrëveshje”, duke shtuar se “më e rëndësishmja, mund të ecim përpara me një zgjidhje që ruan privatësinë”.

Kurse CPUC-ja ka deklaruar se ulja e gjobës së planifikuar prej 59 milionë dollarësh ishte pjesërisht për shkak të muajve të negociatave ku “të gjitha palët kanë avantazhe dhe lëshime”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore