Aplikacione

Uber-i, 1.1 milionë dollarë për sjelljen e paligjshme të shoferëve


Kompania transportuese, Uber, është urdhëruar të paguajë një shumë prej 1.1 milionë dollarësh për shkak të një gruaje të verbër, të cilës i është refuzuar udhëtimi në 14 raste.

Agjencia e lajmeve, BBC, zbulon se gruaja e quajtur Lisa Irving, ka thënë se shoferët e platformës Uber kanë qenë në disa raste abuzivë verbalisht dhe se e kanë ngacmuar atë lidhur me transportimin e qenit të saj udhëzues në makinë.

Mes të tjerash dyshohet se një nga shoferët e ka shkurtuar udhëtimin e saj me pretendimin në mënyrë të gabuar se kishte mbërritur në destinacionin e duhur.

Prandaj dhe një arbitër i pavarur ka vendosur që sjellja e shoferëve të Uber-it ka qenë diskriminuese. Kjo për shkak se ata kanë diskriminuar në mënyrë të paligjshme gjendjen e saj.

BBC tregon se ai e ka hedhur poshtë pretendimin e Uber-it se kompania nuk është përgjegjëse. Kjo pasi shoferët kishin statusin e kontraktorëve më shumë se sa të punonjësve.

Vetë Irving, e cila është nga San Francisko, është shprehur e shqetësuar për sigurinë e saj pasi ishte bllokuar disa herë natën vonë për shkak të refuzimit nga shoferët e kompanisë.

Gjithashtu ka pretenduar se udhëtimet e anuluara kanë çuar në vonesa në punë, çka bëri që ajo të pushohej nga puna. Madje sjellja e shoferëve ka vazhduar edhe pasi ajo ishte ankuar te Uber-i.

Zëdhënësi i saj ka thënë se në bazë të aktit në fuqi, qeni personave me aftësi të kufizuar duhet të jetë në gjendje të shkojë kudo ku shkon pronari i tij, prandaj dhe sjellja e shoferëve është e paligjshme.

Mirëpo, kompania në një deklaratë të dhënë menjëherë pas vendimit të marrë është shprehur se kompania është “krenare” për ndihmën që u ofron udhëtarëve të verbër dhe se shërbimi i ofruar nga shoferët që përdorin platformën është në përputhje me rregullat në fuqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore