U shkel ligji që vëllezërit Xhafaj t’i shpëtonin drejtësisë, thotë Salianji

“Dënimi im është se i kam prishur reputacionin një trafikanti ndërkombëtar droge”
SHFLETO
Sadiola Xhelili
27.09.2024 13:46
Loading Icons...

Dënimi – ka thënë në konferencë Ervin Salianji – është goditje nën brez për të kënaqur grupet kriminale.

Sipas tij, është shkelur ligji në mënyrë që vëllezërit Fatmir Xhafaj e Agron Xhafaj t’i shpëtonin ligjit.

“U shkel ligji që vëllezërit Xhafaj t’i shpëtonin drejtësisë. Dënimi im është se i kam prishur reputacionin një trafikanti ndërkombëtar droge. Unë nuk shkoj në burg, siç thotë gjykata e kunatave të Ballukut dhe të gjykatësve që kanë të punësuar familjen nëpër dogana”, ka thënë ai.

Ai ka vijuar duke thënë se po shkon në burg si një njeri që ka dëshmuar me prova fakte tronditëse.

“Kjo është goditje nën brez për të kënaqur grupet kriminale. Njeriu vlen nëse nuk përkulet dhe kundërshtarin e përballon me çdo mjet”.

Salianji ka deklaruar ndër të tjera se vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj është një trafikant ndërkombëtar droge.

Në bazë të ligjit antimafia, duhet që të bëhet hetim pasuror për të dhe për vëllain e tij, sipas tij.

Dhe se Prokuroria e Posaçme SPAK duhet të bëjë një hetim pasuror për ish-ministrin Xhafaj.

“Kam bërë kërkesë në SPAK për hetim pasuror për Fatmir Xhafajn. Agron Xhafaj ka bërë trafik ndërkombëtar droge. Agron Xhafaj është dënuar për pjesëmarrje në grup kriminal”.

Sakaq, ai ka kërkuar pjesëmarrjen e demokratëve në protestën e parashikuar për në 6 tetor.

Sipas tij, 6 tetori do të jetë dita e demonstrimit të forcës nga opozita.

Ai u ka drejtuar thirrje që mbështetësit e opozitës t’i bashkohen tubimit të njoftuar nga opozita. E se përpjekjet për të shuar opozitën do të dështojnë.

“Nuk dorëzohemi! Është dita jonë e forcës. Më 6 tetor duhet të jemi bashkë për t’u shuar gëzimin se po shuajnë opozitën e PD-së”.

Gjatë konferencës, ai është pyetur nëse vazhdon t’i qëndrojë fjalës se do të vetëdorëzohet në polici.

Lidhur me këtë, ai ka thënë se do të jetë aty ku e ka caktuar regjimi.

Po ashtu ka theksuar se çështja e tij nuk është personale, por e PD-së dhe publike.

“Është një çështje ku janë shkelur të gjitha liritë. Edhe Kuvendi vetë reagon me burime, edhe ata vetë nuk i vënë fytyrën kësaj gjejë, atyre ju vjen pra turp. Unë do përballem dhe do jem aty ku e ka caktuar regjimi”.

“Unë do të bëj gjitha veprimet e mia dhe vendimmarrjet që kanë të bëjnë me partinë. Kjo është çështje e Partisë Demokratike”, ka shtuar Salianji.

Sot Prokuroria e Tiranës ka dërguar në Kuvendin e Shqipërisë shkresën për vendimin rreth dënimit të deputetit Ervin Salianji.

Kjo shkresë, do t’i shërbejë Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, por jo që në çastin e parë, pasi siç bëhet me dije, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, do të do të zbatojë drejtpërdrejt Nenin 21, pika 2, dh.

Përmes këtij neni, do të ketë thjesht një njoftim në seancën e së hënës nga kryeparlamentarja, ku do të komunikohet heqja e mandatit të Salianjit, pas vendimit të formës së prerë të Apelit.

Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike (PD), i ka dërguar letër kryeparlamentares Elisa Spiropali.

Prokuroria, sipas Bardhit, po nxitohet për arrestimin e Salianjit.

Përmes letrës drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, Bardhi ka kërkuar – lidhur me çështjen e Salianjit – mbledhje urgjente të Këshillit të mandateve.

“Në përputhje me nenin 73, pika 2 e Kushtetutës, dhe nenit 13 të Rregullores, kërkojmë mbledhjen urgjente të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për të rivendosur autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë, frenimin e akteve politike ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, dhe rikthimin e kushtetutshmërisë”.

Referuar letrës, thuhet se me një akt hakmarrës politik, Gjykata e Apelit ka urdhëruar burgosjen e një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, një zyrtari të opozitës, për një krim të pakryer dhe për një çështje të fabrikuar nga segmente të caktuara të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë.

“Ky akt politik dhe që cenon themelet e shtetit demokratik, prek integritetin e Kuvendit të Shqipërisë dhe cenon mandatin e një deputeti të opozitës”, ka theksuar Bardhi në letër.

Dhe se “po në një procedurë ekstra ligjore, pa autorizim të Kuvendit, me një nxitim të pa shpjegueshëm, Prokuroria po ndjek procedurën për arrestimin e deputetit të opozitës”.

Bardhi ka shtuar se sipas nenit 73, pika 2, “Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme, apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit”.

Sipas tij, këto veprime të organeve të drejtësisë, që cenojnë parimet bazë të shtetit të së drejtës, kanë krijuar një situatë alarmante të goditjes politike ndaj opozitës.

“Dënimi pa ligj e prova i deputetëve të opozitës, duke shpërfillur autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë, duke shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, duke mos arsyetuar masat represive ndaj deputetëve të opozitës, është akt i paprecedentë në një shtet demokratik”.

Gjykata e Apelit ka dhënë vendimin për Salianjin dje, duke lënë në fuqi vendimin e  Gjykatës së Shkallës së Parë për dënimin e tij me 1 vit burg, nën akuzën për “Kallëzim të rremë” mbi çështjen “Babale”.

Ai akuzohet për denoncimet ndaj Qeverisë për lidhje me trafikantë dhe personazhe të krimit të organizuar.

Sakaq, vendimi i marrë është përfundimtar dhe pritet që prokurori i çështjes të firmosë urdhërekzekutimin, sipas të cilit Salianji duhet të kryejë dënimin me një vit burg.

Salianji preket ndërkohë edhe nga ligji i Dekriminalizimit. KQZ i heq mandatin aktual dhe e ndalon të jetë në listën e deputetëve jo vetëm në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, por dhe të vitit 2029.

Ndërkohë, vetë Salianji ka reaguar duke thënë se gjykata kishte “ardhur me vendim të parapërgatitur”.

Sipas tij, kjo vendimmarrje është politike dhe se është i pari i burgosur politik në 34 vite.

“Do të jem në një fushatë të jashtëzakonshme. Jam i dënuari i parë politik pas 34 vitesh. Do ta bëj nga burgu”, ka thënë ai mes të tjerash.

Sipas tij, seanca e kaluar u shty për t’i dhënë mundësi Fatmir Xhafajt për të sjellë nëpërmjet avokatëve të tij, vendimin me vulën e butë.

“Është njësoj sikur të të gjykojë një funksionar i PS-së. Një nga gjyqtaret është kunata e Belinda Ballukut. Ky është dënim politik, njësoj si agjitacioni e propaganda dikur. Kam bërë një betejë për shoqërinë”.

Çfarë përfaqëson “Babalja”?

Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi  u shpallën fajtorë për akuzën e “kallëzimit të rremë” lidhur me inskenimin e audio-përgjimit, me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në trafikun e drogës.

Gjykata Penale vendosi 1 vit burgim për ish-deputetin Salianji me akuzën e kallëzimit të rremë kryer në bashkëpunim.

Videot e publikuara nga deputeti Salianji do të ndiqnin njëra – tjetrën.

Ai publikoi një video ku shfaqej Fredi Alizoti, kunati i Babales, i cili shprehej se “Taulant Balla dhe Ardi Veliu i kishin kërkuar të deklaronte se kishte imituar vëllanë e Xhafajt”.

Por Alizoti në Prokurori dëshmoi se vetë Babalja i kishte ofruar 100 mijë euro për të realizuar imitimin e zërit.

Në lojë u futën ekspertët nga Mbretëria e Bashkuar.

Ata me kërkesë të Ministrisë shqiptare të Drejtësisë vërtetuan se audio-përgjimi ishte i sajuar dhe jo autentik.

Kjo do të mjaftonte që Prokuroria e Krimeve të Rënda të niste hetimin ndaj Albert Veliut, Fredi Alizotit, Ervin Salianjit dhe Jetmir Olldashit.