Sport

U përshëndet me Napolin, por Mertens dëshiron të luajë edhe një sezon në Serie A


Futbollisti belg, Dries Mertens, është përshëndetur me klubin e Napolit, pasi nuk vazhdoi kontratën me ta.

35-vjeçari tani është një futbollist i lirë, por pavarësisht që nuk vazhdoi me Napolin, thuhet se ai nuk dëshiron të largohet nga Serie A.

Në këtë mënyrë, dy skuadrat italiane, Inter dhe Lazio mund të jenë destinacioni i mundshëm i belgut.

Ai ka thënë se dëshiron të luajë vetëm edhe një sezon tjetër në Serie A, mirëpo refuzoi zgjatjen e kontratës edhe për një vit tjetër me Napolin, të cilët i ofruan 2.4 milionë euro.

Kjo për shkak se në kontratën e kaluar ai arkëtonte 4.5 milionë euro në sezon.

Tani sipas mediave në Itali, ai ka dy mundësi për ta vazhduar karrierën edhe për një vit në futbollin italian.

E para është Lazio, ku Mertens do të ribashkohej me ish-trajnerin e Napolit, Maurizio Sarri-n, i përshtatshëm për formacionin e tij.

Ndërsa mundësia tjetër është Inter-i, por aty Mertens rrezikon vendin e titullarit për shkak të konkurrencës së madhe.

Kujtojmë që Mertens është pjesë e Napolit që nga viti 2013, kur u transferua nga PSV Eindhoven për shumën e 10 milionë eurove.

Gjatë këtyre viteve me fanellën e kaltër, Mertens regjistroi 397 paraqitje në të gjitha garat, prej të cilave ka shënuar 148 gola dhe ka dhuruar 90 asistime.

Ai gjithashtu numëron edhe 105 paraqitje zyrtare me kombëtaren e Belgjikës, prej të cilave ka shënuar 21 gola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore