Sport

U përfol se UEFA i ka bllokuar llogaritë bankare, reagon FSHF: Shantazh dhe përbaltje


Përgjatë ditës së mërkurë të 24 nëntorit, në të përditshmen sportive shqiptare “Panorama Sport” u publikua një artikull ku pretendohej se UEFA ka bllokuar llogaritë bankare të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF).

Sipas artikullit, UEFA ka bllokuar llogaritë e FSHF-së, pas disa transaksioneve të dyshimta të kryera nga ky institucion.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i FSHF-së, duke e cilësuar artikullin si “shatnazh dhe përbaltje” e cila shitet si “profesionalizëm”.

“Federata Shqiptare e Futbollit informon se në artikullin e publikuar ditën e sotme nuk ka asnjë të vërtetë të vetme”, thuhet në deklaratën e FSHF-së.

“Llogaritë e FSHF-së në bankat e nivelit të dytë në vend nuk janë të bllokuara dhe kjo mund të vërtetohet lehtësisht nga kushdo”.

“Në të njëjtën kohë dëshirojmë të saktësojmë se në marrëdhëniet e Federatës së Futbollit me anëtarët e saj, në asnjë rast të vetëm, nuk ka pasur transfertë bankare në llogari private apo të dyshimtë, siç pretendon kjo media”.

“Çdo transfertë bankare është kryer në llogaritë zyrtare të klubeve. Institucioni i futbollit në vend është ndër të paktat institucione që të gjithë veprimtarinë financiare e kryen nëpërmjet sistemit bankar, duke qenë transparent dhe duke paguar çdo detyrim ndaj autoriteteve shtetërore”.

“Federata nuk ka asnjë konflikt apo detyrim ndaj asnjë Zyre Përmbarimore në Republikën e Shqipërisë dhe aq më pak të ketë ndonjë kolaps financiar siç pretendohet në fletërrufenë e sotme”.

“Federata Shqiptare e Futbollit është e përkushtuar për të vijuar misionin e saj për përmirësimin dhe rritjen e mëtejshme të futbollit shqiptar, duke përmirësuar infrastrukturën, duke punuar për futbollin e fëmijëve dhe femrave, për rritjen e kapaciteteve njerëzore në tregun e futbollit”, përfundon deklarata e institucionit më të lartë të futbollit në vend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore