Shqipëria

U lye me baltë përpara transmetimit, reporterja gjermane kërkon të falur


Reporterja gjermane Susanna Ohlen ka kёrkuar tё falur për lyerjen e vetes me baltë përpara transmetimit nga një zonë e shkatërruar nga përmbytjet në Gjermani.

Në një video anonime të publikuar ditën e premte, tregohej Ohlen dhe ekipi i saj të cilët po qëndronin mes mbeturinave dhe rrënojave, duke pritur fillimin e xhirimeve. Në një moment, Ohlen përkulet, shtrihet në një pellg dhe fillon të lyhet me baltën e përmbytjeve.

Mediat gjermane e quajtën veprimin e reporteres si një përpjekeje pёr ta bёrё mё autentik raportimin e saj.

“Ishte njё gabim serioz. Si gazetare dhe njё person qё pёrjeton vuajtjet e tё gjithё tё prekurve nё zemёr, nuk duhet të më kishte ndodhur kurrë kjo. Pasi kisha punuar vullnetarisht ditёt e mёparshme, m’u duk e turpshme të qëndroja para kamerës dhe punonjësve të tjerë të ndihmës me rroba të pastra. Si rezultat, pa menduar dy herë, lyejta me baltë rrobat e mia”, tha prezantuesja 39-vjeçare e agjencisё mediatike RTL.

Ohlen, e cila gjithashtu drejton “Mirëmëngjesi Gjermani”, ishte shprehur gjithashtu në program se kishte ndihmuar gjatё pastrimeve në Bad Munstereifel, një qytet në shtetin e Nordrhein-Westfalen, i cili pёsoi dëmtime të mёdha pas reshjeve rekord tё javës sё kaluar.

RTL pezullon reporteren

“Veprimet e reporteres tonë kundërshtojnë qartë parimet gazetareske dhe standardet tona. Prandaj, ne e pezulluam atë të hënën”, tha një zëdhënëse e RTL të enjten.

RTL është një nga transmetuesit më të mëdhenj privatë të Gjermanisë.

Njё pjesё e Gjermanisё qendrore, perёndimore dhe jugore u pёrfshi nga pёrmbytjet javёn e kaluar. Tё paktёn 165 njerёz vdiqën dhe u shkaktuan miliarda euro dëmtime.

Përmbytjet kanë ngritur ndërkohë pikëpyetje mbi sistemin e menaxhimit të katastrofave në Gjermani dhe ndikimet e ardhshme të ndryshimit të klimës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore