Shqipëria

“U krye jo zgjedhja e Sali Berishës, por mrekullia e shqiptarisë”


U krye jo zgjedhja e Sali Berishës, por mrekullia e shqiptarisë!

Kjo ishte fjala e demokratit, Sali Berisha, fill pas fitores në zgjedhjet për kreun e selisë blu.

Për Berishën ky proces ishte “mrekullia e vërtetë e shekullit XXI”.

“31 vite më parë Baker do t’u thoshtë shqiptarëve se jeni të lirë të zgjidhni udhëheqësit tuaj”, rikujtoi ai vizitën e sekretarit Amerikan të Shtetit, James Baker.

Sipas Berishës, qytetarët zgjodhën të lirë kreun e ri të selisë blu dhe se ai do të “bëjë realitet ëndrrën e të rinjve shqiptarë për të jetuar këtu”.

“Kam një mirënjohje të pakufishme për të gjithë anëtarët që sot këtë ditë të 22 majit lanë të gjitha obligimet dhe votuan për të zgjedhur kryetarin e PD-së”, tha ai.

Nuk kishte si të mungonte edhe deklarata e dikurshme e tij, “Never say never” (Kurrë mos thuaj kurrë).

Duke iu bërë thirrje kështu të gjithë demokratëve, që të mos i humbin kurrë shpresat për rikthimin në pushtet.

“Ne jemi në mision, ne jemi burra dhe gra, djem dhe vajza që kemi për pasion lirinë, që kemi për mision proceset që njohu PD, t’i njohë mbarë Shqipëria dhe të çlirojmë Shqipërinë nga një regjim që kurrë nuk e meriton”.

Ai ka falënderuar gjithashtu rivalin e tij në këto zgjedhje, Ibsen Elezi.

“Një përshëndetje të veçantë kam për Ibsen Elezin, për rivalin tim, i cili si demokrat i vërtetë zhvilloi një garë të qytetëruar”, tha Berisha.

Berisha e ka rimarrë drejtimin e Partisë Demokratike pas 9 viteve.

Në këto zgjedhje ai mori 93.45% të votave në të gjitha degët e Partisë, duke mundur kështu kandidatin tjetër dhe të vetmëm, Ibsen Elezi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore