Aplikacione

U desh, u krijua


U desh COVID-i që bankat e dërrasta dhe e zeza dërrasë në murin e klasës të zhvendoseshin drejt ekranit shumëngjyrësh.

U desh COVID-i që kjo mënyrë tradicionale, e zënë rrënjë e mësimdhënies, të rikonceptohej e të transformohej në rrjedhat e teknologjisë.

Me mbrujtje njerëzore e pragmatizëm “robotik”, nisën shpejt të përhapen platforma dhe aplikacione të krijuara posaçërisht për nxënësit e studentët në bashkërendim me përpjekjet e tyre studimore.

Edhe pse me një pranim të sforcuar nga domosdoshmëria e distancës, metoda teknologjike i dha efektet e veta.

Dhe kjo jo vetëm për ndihmesën e përdoruesve në qasje, por edhe në lirimin e hapësirës për një treg të ri ende të paeksploruar mjaftueshëm në vend.

Këtu gjeti veten edhe Akademi.al e zhvilluar nga Dean Çelaj, specialist i teknologjisë së informacionit.

Ai tregon për Albanian Post se ideja e krijimit të një platforme mësimdhënieje erdhi krejt spontanisht.

“Duke parë zhvillimin kolosal të teknologjisë në arsim në vendet e tjera, e dinim që edhe Shqipërisë do t’i duhej të adaptohej shumë shpejt me risitë teknologjike në sistemin arsimor”, ka treguar ai.

Dhe se “kjo qe nxitja e parë dhe ne menduam që do të ishte shumë mirë që të kishte një platformë shqiptare, autentike, edhe për të mbështetur përshtatjen e pashmangshme të procesit fizik mësimor me atë të zhvilluar në platformën online”.

Çelaj ka argumentuar se ofrimi i një zgjidhjeje teknologjike është përzgjedhur “sepse teknologjia është tanimë fusha më e studiuar dhe më në zhvillim”.

Zhvilluesi i platformës tregon se krahasuar me Londrën, vendin ku ai ka kryer studimet, apo edhe me vende të tjera të Evropës apo Amerikës, Shqipëria kishte nevojë për diçka të re në fushën e teknologjisë.

“Unë kam dashur gjithmonë të investoj dhe të investohem në Shqipëri dhe këtë e pashë si mundësinë më të mirë edhe për të ndarë me të gjithë shqiptarët njohuritë dhe eksperiencën time në Londër”, ka treguar ai.

Gjithashtu “edhe për t’ju ardhur në ndihmë institucioneve arsimore dhe nxënësve e studentëve, në tejkalimin e vështirësive së bashku dhe adaptimin me sa më shumë lehtësi në sistemin teknologjik botëror”.

Duke zbuluar disa detaje rreth platformës, Çelaj ka thënë se Akademi.al ka si synim kryesor që të krijojë kushte të barabarta të të nxënit për të gjithë nxënësit, studentët, por edhe për individë, të cilët mund të jenë diplomuar ose jo në fusha të tjera, por që kanë dëshirë të zgjerojnë njohuritë në fusha të tjera.

Ai ka treguar se “duke përdorur metoda bashkëvepruese, ne synojmë t’ju vijmë në ndihmë të gjithë nxënësve që, për arsye të ndryshme, qofshin ekonomike, pamundësi fizike për shkak të problemeve shëndetësore apo edhe prej largësive fizike me shkollat e fshatit më të afërt, të mund të aksesojnë një platformë mësimore krejtësisht falas”.

Kjo në mënyrë që ata të mund të shkollohen në kushte të barabarta me bashkëmoshatarët e tyre.

Përpos mundësive të ofruara, por edhe lehtësirave mbështetëse të platformës, Çelaj ka renditur edhe një sërë përparësish.

“Së pari, kjo platformë është tërësisht falas, mund të aksesohet nga kudo, është e zhvilluar në gjuhën shqipe, si edhe është e thjeshtë për t’u përdorur nga kushdo”, ka sqaruar zhvilluesi i Akademi.al.

Nga ana tjetër, ai ka treguar se “kjo platformë të ofron mundësinë të bëhesh pjesë e një komuniteti me 500 mijë përdorues, me të cilët mund të ndërveprosh në kohë reale, pa asnjë pengesë nga platforma”.

Për më tepër, platforma u jep mundësinë përdoruesve që të komunikojnë edhe me lektorët e lëndës që ndjekin, si dhe të vazhdojnë ndjekjen e programit të tyre mësimor në vazhdimësi.

Çelaj ka zbuluar se platforma është pritur mirë nga përdoruesit. Kjo e vërtetuar edhe nga numri i deritanishëm i përdoruesve aktivë, të cilët llogariten me mbi 500 mijë.

“Fakti që ne po rritemi ditë për ditë, na bën të jemi edhe më entuziastë dhe më të motivuar në punën tonë për t’i ardhur në ndihmë çdo nxënësi”, ka shtuar ai.

Për sa i përket fazës në të cilën ndodhet aktualisht platforma, Çelaj ka treguar se Akademi.al është vetëm në vitin e dytë të operimit në sistemin arsimor.

Dhe se “është platforma e parë dhe e vetme partnere e Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sportit”.

Ndër të tjera, zhvilluesi ka treguar se aktualisht “jemi duke lancuar edhe projektin e ‘Instruktorëve’, që do të jetë një hapësirë për këdo që do të ndajë njohuritë e tij, në çdo fushë, me 500 mijë përdoruesit e platformës tonë”.

Çelaj është treguar i hapur edhe ndaj sugjerimeve apo ideve të mundshme.

“Ne jemi vazhdimisht të hapur për diskutime, konsultime dhe çfarëdolloj sugjerimi se çfarë mund të bëjmë më mirë me të gjitha grupet e interesit, për të sjellë një përvojë sa më të mirë për të gjithë përdoruesit tanë”, ka përmbyllur ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore