Lajme

U dëbuan nga BE-ja, diplomatët rusë gjejnë strehë në Serbi


Të dëbuar nga vendet anëtare të Bashkimi Evropian, të akuzuar për spiunazh pas agresionit rus në Ukrainë nga Federata Ruse, disa diplomatë rusë të cilët janë pjesë edhe e listës së zezë së BE-së, tanimë janë të akredituar si diplomatë në Serbi.

Një nga ta është Piotr Dolgosin, i punësuar momentalisht në Ambasadën Ruse në Serbi, i cili kishte braktisur pozicionin e tij diplomatik në Helsinki, menjëherë pas pushtimit rus në Ukrainë, por sipas investigimit të REL-it, nuk është e qartë nëse Dolgosin është në mesin e diplomatëve rusë të dëbuar nga Finlanda.

Por, emri i tij mbeti në mesin e 61 emrave të diplomatëve rusë të listuar në faqen e internetit të ambasadës në Helsinki dy muaj pasi Finlanda njoftoi dëbimin e diplomatëve.

Dolgoshin figuronte si përfaqësues zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme ruse në Finlandë dhe ka informacione se ai ka qenë pjesë e kontingjentit rus në Kosovë në dy raste.

Po ashtu, një tjetër diplomati që ndodhet momentalisht në ambasadën ruse në Beograd – ishte larguar nga misioni diplomatik në Helsinki, kjo pasi që Finlanda kishte njoftuar se do t’i dëbonte diplomatët rusë si kundërpërgjigje e agresionit të Moskës në Ukrainë, sipas hetimit të Radio Evropa e Lirë.

Ndërkaq, në Serbi, Rusia e ka rritur praninë e saj diplomatike, pas dëbimeve të diplomatëve nga shtetet e BE-së – krahasuar me vitin paraprak. Sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme të Serbisë, nga 54 sa ishin në mars të 2022, tani gjenden 62 diplomatë rusë të akredituar në Beograd.

Gjithashtu, sipas investigimit të REL-it, një tjetër diplomat rus, i dëbuar, që tani gjendet në shtetin serb, ishte i lidhur me Shërbimin Federal të Sigurisë Ruse (FSB), e që mbi të rëndonin akuza për sulme kibernetike që synim kishin sektorin energjetik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa një diplomat tjetër, po ashtu i dëbuar, tani i akredituar në Beograd, ishte i lidhur me Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme Ruse.

Sipas të dhënave të MPJ-së serbe, Aleksei Ivanenko – që kishte qenë sekretar i dytë në ambasadën ruse në Kroaci, i cili është pjesë e atyre diplomatëve rusë të dëbuar, aktualisht ushtron një post në ambasadën ruse në Beograd.

Gjithashtu, Mikhail Generalov ishte ndër diplomatët që u dëbuan nga ambasada ruse në Varshavë (Poloni) në mars 2022, por shërbimi i tij ndaj shtetit rus nuk do të përfundonte këtu, pasi që ai do të punonte, gjashtë muaj më vonë, si këshilltar në ambasadën ruse në Beograd.

Sipas REL-it, lidhjet e Generalov-it dhe aparatit të inteligjencës ruse, janë të konfirmuara.

Përveç, diplomatëve të dëbuar nga Kroacia dhe Polonia, që tani kanë gjetur strehë në Serbi, edhe diplomati rus i dëbuar nga Holanda dhe i futur në listën e zezë, Dimitrij Barabin, akuza për të: Agjent i inteligjencës ruse, mirëpo aktualisht po shërben si sekretar i dytë në Ambasadën Ruse në Beograd.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore