Lajme

U.D i Prokurorit të Specializuar në Hagë Alex Whiting: S’po e gjykojmë UÇK-në, por individët që kryen krime


Në nisjen e gjykimit ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shalës, Ushtruesi detyrës i Prokurorit të Specializuar në Hagë, Alex Whiting, e ka mohuar se Gjykata Speciale po e gjykon UÇK-në.

Sipas tij, Specialja po i gjykon individët që dyshohen për krime lufte gjatë luftës në Kosovë.

“Kundërshtarët e kësaj gjykate pretendojnë se kjo gjykatë është kundër Kosovës dhe UÇK-së, por asgjë nga kjo nuk është e vërtet. Kjo është një gjykatë e krijuar nga Kuvendi i Kosovës dhe është brenda sistemit ligjor të Kosovës. Çështjet ligjore nuk janë kundër UÇK por kundër individëve që dyshohet se kanë kryer krime gjatë luftës”, tha ai.

Madje ai vuri në pah se shumica e viktimave janë shqiptarë të Kosovës, teksa ka shtuar se “Shala ka rrahur njerëz me shufra të hekurit në një pikë të ndalimit në Kukës dhe si rezultat viktimat janë mbuluar me gjak dhe nuk kanë qenë në gjendje të ecin”.

“I akuzuari po ashtu ka vrarë njërin prej të ndalurave, duke e gjuajtur me armë në këmbë”.

“Kjo gjykatë pohon parimin e së drejtës në Kosovë. Askush nuk është mbi ligjin, ata që kanë kryer krime do nxirren para drejtësisë. Sa e drejt është një kauzë, apo besimi në një kauza të caktuar, nuk i jep imunitetit atyre që kryen krime lufte”, shtoi ai.

Por, Shala ka deklaruar se është i pafajshëm.

“E kuptoj akuzën, por nuk pranoi asgjë, këto janë gjitha trillime”, tha Shala.

Ndryshe tetë persona janë pranuar si viktima nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë në rastin e Shalës.

Viktimat pretendojnë se kanë pësuar dëm fizik, mendor ose material nga Shala midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej UÇK-së.

Shala: E kuptoj akuzën, por nuk pranoj asgjë – janë trillime

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore