Lojëra

U anulua loja ‘Lord of the Rings’


Divizioni i lojërave video të kompanisë teknologjike, Amazon, ka anuluar një lojë online që bazohet në serinë Lord of the Rings.

Agjencia e lajmeve, Bloomberg, zbulon se loja ishte në zhvillim e sipër në Amazon Game Studios së bashku me lojën Leyou Technologies Holdings Ltd që është me bazë në Kinë dhe që u ble në muajin dhjetor nga konglomerati Tencent Holdings Ltd.

Burimet anonime që kanë folur mbi çështjen kanë thënë se mosmarrëveshjet e kontratës mes Amazon-it dhe Tencent-it çuan në anulimin e lojës.

Ndërkohë një zëdhënës i Amazon-it është shprehur se pas blerjes së Leyou-së nga kompania Tencent “ne nuk kemi qenë në gjendje të sigurojmë kushte për të vazhduar me këtë titull në këtë kohë”.

Lidhur me ekipin e Amazon-it që punon për lojën, Bloomberg tregon se ai do të zhvendoset. “Ne e duam Lord of the Rings dhe jemi të zhgënjyer që nuk do ta sjellim këtë lojë tek klientët”, ka thënë zëdhënësi i kompanisë me bazë në Settle gjatë një deklarate.

Mirëpo, anulimi i lojës pason një seri lajmesh jo të mira nga Amazon Game Studios. Kjo pasi që prej vitit 2014, kompania nuk ka mundur të nxjerrë një lojë të suksesshme.

Ka pasur edhe anulime të tjera më parë. Breakaway dhe Crucible janë dy prej tyre. Ndërkohë loja New World është shtyrë në mënyrë të përsëritur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore