Aplikacione

Twitter-i urdhërohet t’i dorëzojë Musk-ut të dhënat nga auditimi i përdoruesve i vitit 2021


Elon Musk mund të ketë akses në të dhënat e Twitter-it të përdorura në një auditim të përdoruesve aktivë të vitit 2021, por informacionet e tjera që ai kërkon në përpjekje për t’i dhënë fund marrëveshjes, janë refuzuar.

Një gjykatës i ka quajtur ato si “absurde”.

Si pjesë e procesit për të vlerësuar numrin e llogarive të padëshiruara, Twitter-i duhet të dorëzojë të dhënat nga nëntë mijë llogaritë e kampionuara në tremujorin e katërt.

Kompania ka thënë se të dhënat nuk ekzistonin dhe do të ishte e vështirë për t’i mbledhur. Dhe kancelarja Kathaleen McCormick i dha dy javë kohë për të nxjerrë të dhënat.

Por Musk ka pretenduar se kompania ka mashtruar duke keqinterpretuar numrin e përdoruesve të vërtetë në zbulimet e saj financiare.

Te këto të fundit, ai u mbështet për të bërë ofertën e tij të blerjes.

“Mezi presim të shqyrtojmë të dhënat që Twitter-i ka fshehur për shumë muaj”, ka thënë Alex Spiro, avokati i Musk-ut.

McCormick ka hedhur poshtë shumë nga kërkesat e tjera të Musk-ut për të dhëna.

Por Musk ka thënë se dëshiron të testojë saktësinë e këtij auditimi, sepse beson se kompania keqinterpretoi me mashtrim se vetëm pesë për qind e llogarive të saj ishin spam.

Ai dëshiron që McCormick të vendosë se mund të largohet nga marrëveshja.

Ndërsa Twitter-i kërkon që McCormick të urdhërojë Musk-un të mbyllë marrëveshjen me çmimin e rënë dakord prej 54.20 dollarë për aksion.

Kompania ka deklaruar në një seancë gjyqësore të së mërkurës se fokusi i Musk-ut ishte ligjërisht i parëndësishëm sepse kompania e ka përshkruar numrin e llogarive spam në dosjet rregullatore si një vlerësim, jo ​​një përfaqësim.

Dhe se niveli real i këtyre llogarive mund të jetë më i lartë.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore