Aplikacione

Twitter-i shton opsionin e gjinisë femërore në gjuhën arabe


Media sociale, Twitter, ka prezantuar opsionin e gjinisë femërore në gjuhën arabe. Kjo u jep mundësinë përdoruesve të faqeve të mediave sociale të flasin me njëri-tjetrin duke përdorur gjininë femërore në gramatikë.

Kjo lëvizje ka ardhur si pjesë e asaj që kompania pohoi se ishte një përfshirje dhe një larmi e diversitetit.

“Ne duam që shërbimi ynë të pasqyrojë zërat që formojnë bisedat që zhvillohen në shërbimin tonë”, është shprehur Rasha Fawakhiri, shefja e komunikimit në Twitter për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se në arabisht, foljet pajtohen me gjininë e kryefjalës. Format mashkullore përdoren për të adresuar audienca të përziera ose të panjohura dhe janë të paracaktuara në shumicën e teksteve.

Fawakhiri ka pranuar se kompania ka projekte të tjera gjinore neutrale në punimet për faqen, prandaj nuk ka prezantuar një mundësi jo-binare të gjuhës gjinore në arabisht.

Ajo ka vijuar se Twitter-i ka plane për të shtuar një fushë të caktuar të përemrave gjinorë në profilet e platformës, që njerëzit të shfaqin mënyrën se si preferojnë të adresohen.

Udhëzimet që përdoruesit të postonin tweet-t në arabisht, deri më tani ishin shfaqur vetëm në gjininë mashkullore “gharrid”. Ndërsa, me një ndryshim të cilësimeve, kjo komandë mund të shfaqet në Twitter si “gharridi”, e cila është forma e gjinisë femërore.

Sipas vetë platformës, Twitter-i rezulton të jetë faqja e parë e mediave sociale që paraqet një mundësi në gjuhën “arabe (femërore)”. Mirëpo, një mundësi të ngjashme gjuhësore ka vënë në dispozicion edhe kompania globale e logjistikës me bazë në Dubai, Aramex, në faqen e saj të korporatës në muajin prill.

“Ne duam t’u sigurojmë njerëzve opsionin se si ata preferojnë të adresohen”, ka thënë Fawakhiri.

Po ashtu ajo ka zbuluar se, edhe pse Twitter-i filloi me arabishten, iniciativa mund të zgjerohet dhe në gjuhë të tjera.

Kompania gjatë vitit të kaluar, ndryshoi disa prej gjuhëve të përdorura nga inxhinierët e saj në proceset e tyre për të qenë më gjithëpërfshirëse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore