Aplikacione

Twitter-i pezullon llogaritë e disa gazetarëve që kanë raportuar për Elon Musk-un


Një sërë gazetarësh të njohur që kanë raportuar në Twitter për shefin e ri ekzekutiv Elon Musk janë pezulluar ose ndaluar nga platforma.

Musk, në një seri postimesh në Twitter, ka shkruar se ndarja e vendndodhjes së tij në kohë reale në platformë ishte e ndaluar.

Ai ka akuzuar gazetarët për të cilët ka pretenduar se kishin shpërndarë informacione për vendndodhjen e tij.

Llogaritë e gazetarëve të teknologjisë në “CNN”, “Washington Post”, “Mashable” dhe “New York Times” janë pezulluar me shpejtësi të enjten e 15 dhjetorit në mbrëmje.

Ata kishin botuar kohët e fundit artikuj në lidhje me pezullimin e një llogarie në Twitter nga Musk që kishte ndarë të dhëna publike në lidhje me lëvizjet e avionit të tij privat.

Dhe secili prej artikujve kishte nxjerrë në pah tensionin midis angazhimit të deklaruar të Musk-ut ndaj “fjalës së lirë” dhe zgjedhjes së tij për të ndaluar një llogari që atij nuk i pëlqente.

Edhe llogaria e kompanisë rivale të mediave sociale, Mastodon – në të cilën disa përdorues të Twitter-it kanë migruar pas marrjes nga Musk – gjithashtu duket se është pezulluar.

Ryan Mac, një reporter i teknologjisë në “New York Times”, ka treguar se nuk iu dha “asnjë paralajmërim” përpara se llogaria e tij të pezullohej dhe se ai nuk kishte marrë asnjë komunikim nga kompania për arsyen se pse llogaria e tij ishte “pezulluar përgjithmonë”.

Kurse “Washington Post” ka deklaruar se pezullimi i gazetarit të tyre të teknologjisë, Drew Harnell, “minon pretendimin e Elon Musk se ai synon ta drejtojë Twitter-in si një platformë kushtuar fjalës së lirë”.

Sakaq, “CNN” ka deklaruar se “paqëndrueshmëria në rritje e Twitter-it duhet të jetë një shqetësim i jashtëzakonshëm për të gjithë ata që përdorin platformën”.

Për këtë lëvizje të Musk ka reaguar edhe Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Sipas komitetit, nëse ndalimet e individëve konfirmohen si hakmarrje për punën e gazetarëve, do të ishte një “shkelje serioze e të drejtës së gazetarëve për të raportuar lajmet pa frikën e hakmarrjes”.

Musk ndërkohë është përgjigjur.

“Të më kritikosh gjatë gjithë ditës është krejtësisht mirë, por të mashtrosh mbi vendndodhjen time në kohë reale dhe të rrezikosh familjen time nuk është”.

Po ashtu ka shtuar se të njëjtat rregulla zbatohen edhe për gazetarët si për të gjithë të tjerët.

Teksa gazetarët kanë raportuar se pezullimet ishin të përhershme, në disa postime në Twitter Musk ka zbuluar se pezullimet do të ishin vetëm për shtatë ditë.

“Disa kohë larg Twitter-it është mirë për shpirtin”, ka shkruar ai në Twitter.

Më pas, ai postoi një sondazh në Twitter, duke pyetur njerëzit nëse ndalimi duhet të hiqej menjëherë, nesër, pas shtatë ditësh ose më gjatë.

Sondazhi shkoi në favor të zhbllokimit të menjëhershëm të përdoruesve, me 43 për qind të mbi gjysmë milioni votave.

Por ai njoftoi se do ta ribënte sondazhin, duke i shkurtuar opsionet vetëm me “tani” ose “pas shtatë ditësh”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore