Twitter-i ‘kërcënon’ Threads me veprime ligjore

Sadiola Xhelili
07.07.2023 12:46
Loading Icons...

Twitter-i po shqyrton një veprim ligjor kundër Meta-s për aplikacionin e tij rival Threads me rritje të shpejtë.

Aplikacioni i ri është i ngjashëm me Twitter-in dhe është paraqitur nga shefat e Meta-s si një alternativë “miqësore”.

Elon Musk i Twitter-it ka thënë se “konkurrenca është e mirë, mashtrimi jo”.

Por Meta i ka mohuar pretendimet në një letër ligjore se ish-stafi i Twitter-it ndihmoi në krijimin e Threads.

Më shumë se 30 milionë njerëz janë regjistruar për aplikacionin e ri, sipas Meta-s.

Sakaq, pamja dhe përvoja në Threads është e ngjashme me atë në Twitter. Shumë funksione janë të njohura tanimë.

Avokati i Twitter-it, Alex Spiro i ka dërguar një letër shefit të Meta-s, Mark Zuckerberg, duke e  akuzuar për “keqpërdorim sistematik, të qëllimshëm dhe të paligjshëm të sekreteve tregtare të Twitter-it dhe pronave të tjera intelektuale” për të krijuar Threads.

Spiro ka pretenduar se Meta ka punësuar dhjetëra ish-punonjës të Twitter-it, të cilët “vazhdojnë të kenë akses në sekretet tregtare të Twitter-it dhe informacione të tjera tepër konfidenciale” që e kanë ndihmuar Meta-n të zhvillojë aplikacionin ‘copycat’ Threads”.

“Twitter synon të zbatojë rreptësisht të drejtat e tij të pronësisë intelektuale dhe kërkon që Meta të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të ndaluar përdorimin e çdo sekreti tregtar në Twitter apo informacione të tjera tepër konfidenciale”, thuhet në letër.

Po ashtu thuhet se “Twitter-i rezervon të gjitha të drejtat, duke përfshirë – por pa u kufizuar në – të drejtën për të kërkuar edhe mjete juridike civile dhe masa urgjente pa njoftim të mëtejshëm”.

Si Musk edhe Zuckerberg e kanë pranuar rivalitetin mbi Threads, i cili është i lidhur me Instagram-in, por funksionon si një aplikacion i pavarur.

Teksa doli në treg në 100 vende, Zuckerberg theu më shumë se 11 vjet heshtje në Twitter për të postuar një meme shumë popullore të dy figurave thuajse identike të Spider-Man që tregojnë njëra-tjetrën, duke treguar një përplasje.

Menjëherë pas kësaj, Musk ka thënë se “është pafundësisht e preferueshme të sulmohesh nga të huajt në Twitter, sesa të kënaqesh me lumturinë e rreme të Instagram-it të fshehtë”.

Të fundit

Aktuale