Shqipëria

Turqit e Ballkanit s’e duan Erdoganin, votuan Kiliçdaroglunë


Fitorja e presidentit Recep Tayyip Erdogan në balotazhin presidencial të Turqisë të dielën u festua në të gjithë Ballkanin – rajon në të cilin – Turqia ka një ndikim të fortë.

Festimet më valëvitje flamujsh dhe autokolona makinash përfshinë Sarajevën, Novi Pazarin, Shkupin, Ohrin, Prizrenin dhe Tiranën.

Por në këto vende duke përjashtuar Bosnjën qytetarët emigrantë turq votuan për rivalin e presidentit Erdogan, Kemal Kiliçdaroglu.

Në Shqipëri, diaspora turke votoi Kiliçdaroglu me 65.71 % me 437 vota të marra.

Erdogan arriti të merrte 34.29% me 228 vota.

Edhe në Kosovë, Kiliçdaroglu ka fituar shumicën e votave me 56.9 % (338 vota) ndërsa Erdogan ka marrë 256 (43.1%).

Në Maqedoninë e Veriut sërish Erdogan nuk ka arritur të marrë shumicën e votave, vetëm 45.38 % të votave, ndërsa kundërshtari i tij e ka superuar me 54.62 %.

Humbja më e thellë e Erdogan në rajon mbetet ajo në Mal të Zi, ku kreu i shtetit ka marrë vetëm 15 % të votave (124).

Kiliçdaroglu ka korrur fitore me 683 vota (84.63 %).

Në Serbi ndiqet e njëjta linjë ku Erdogan ka marrë 40.81 % (344 vota) dhe Kiliçdaroglu, 59.19 %.

Vlen të theksohet se në Kosovë dhe Serbi janë numëruar vetëm 50 % e kutive.

Në Bosnje megjithatë, qytetarët turq vazhduan të mbështesin Presidentin Erdogan dhe Aleancën e tij Popullore.

Aty Erdogan fitoi me një diferencë të ngushtë prej 19 votash.

Rezultati tregoi se diaspora turke në Ballkan është ndryshe nga komunitetet e tjera të diasporës në Evropën Perëndimore, ku turqit votuan me shumicë dërrmuese për Erdoganin dhe aleancën e tij.

Pjesa më e madhe e votave ndërkombëtare të Erdoganit erdhi nga qytetarët që jetojnë në vende të mëdha të diasporës duke përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Holandën, si dhe në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Në Gjermani, e cila pret 1.5 milionë votues me të drejtë vote, Erdogan fitoi rreth 67 për qind të votave.

Me 95 për qind, votuesit turq në Liban përfaqësonin përqindjen më të lartë të votave të Erdoganit, të ndjekur nga Jordania (90 për qind) dhe Egjipti (78 për qind).

Kiliçdaroglu dominoi në shumë pjesë të Evropës dhe Amerikës së Veriut ku siguroi më shumë se 80 për qind të votave në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Mbretërinë e Bashkuar si dhe shumë pjesë të Evropës Jugore dhe Lindore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore