Rajoni

Turqia: Zgjerimi i Greqisë nuk ndikon në Egje


Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke, Hami Aksoy, ka deklaruar të mërkurën në një dalje publike, se shtrirja e ujërave territoriale të Greqisë në detin Jon nuk ndikon në detin Egje.

“Shtrirja e ujërave territoriale në detin Jon nga Greqia, në 12 milje detare, arrin në jug të gadishullit Peleponez dhe nuk prek në asnjë mënyrë detin Egje”, është shprehur Aksoy.

Aksoy nënvizoi se Turqia ka të drejta dhe interesa thelbësore në Detin Egje.

Sipas tij, qëndrimi i Turqisë me zgjerimin territorial është i njohur nga të gjitha palët. Ujërat territoriale në Detin Egje “nuk duhet” të shtrihen në mënyrë të njëanshme për të kufizuar lirinë e lundrimit, si dhe hyrjen në det të hapur të Turqisë dhe të vendeve të treta.

Parlamenti i Greqisë miratoi të mërkurën projekt-ligjin që parashikon një zgjerim në ujërat territoriale të Greqisë në Detin Jon, nga gjashtë milje detare në 12.

Greqia nënshkroi një marrëveshje ekskluzive të zonës ekonomike (EEZ) në 9 qershor me Italinë dhe 7 gusht me Egjiptin.

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, tha të martën se po mbahen diskutime mbi shtrirjen e ujërave territoriale në pjesën lindore të ishullit të Kretës.

Turqia dhe Greqia do të fillojnë bisedimet eksploruese në 25 janar në Stamboll për të zgjidhur mosmarrëveshjet detare./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore