Lajme

Turqia shtyn pagesën 600 milionë dollarë për gazin rus


Turqia ka shtyrë pagesën e Rusisë për një faturë prej 600 milionë dollarësh të gazit natyror deri në vitin 2024, vonesa e parë e tillë në një marrëveshje të shpallur javën e kaluar që nënvizon thellimin e lidhjeve midis Ankarasë dhe Moskës.

Agjencia britanike “Reuters” shkruan për këtë duke iu referuar dy burimeve.

Sipas kushteve të marrëveshjes, deri në 4 miliardë dollarë pagesa turke për energjinë ndaj Rusisë mund të shtyhen deri në vitin e ardhshëm, thanë të dy burimet për Reuters në kushte anonimiteti.

Detajet e marrëveshjes nuk janë bërë të ditura më parë.

Turqia, e cila po përgatitet për zgjedhjet e së dielës, është shumë e varur nga importet e energjisë, me Rusinë si furnizuesin e saj më të madh.

“Marrëveshja e pagesës së gazit ul disi presionin mbi rezervat valutore të Turqisë, të cilat janë varfëruar nga politikat ekonomike joortodokse që synojnë mbështetjen e lirës, si dhe nga rritja e çmimeve të energjisë pas pushtimit rus të Ukrainës vitin e kaluar”, shkruan agjencia.

“Zyrtarisht pagesa prej 600 milionë dollarësh është shtyrë për vitin e ardhshëm. Ndikim të madh për këtë ka pasur edhe rritja e çmimit të energjisë”, tha një nga burimet e njohura me këtë çështje.

Bashkëbiseduesi shtoi se Turqia mund t’i shtyjë këto pagesa në muajt e ardhshëm, në varësi të dinamikës së çmimeve të energjisë.

Ministria ruse dhe turke e energjisë, si dhe kompanitë përkatëse të energjisë Gazprom dhe Botas, nuk iu përgjigjën kërkesave për koment mbi këtë çështje.

Ministri turk i Energjisë Fatih Donmez tha javën e kaluar se Ankaraja dhe Moska kishin arritur një marrëveshje që i lejon Ankarasë të shtyjë pagesat e energjisë deri në një shumë të caktuar, por nuk dha detaje.

Marrëveshja thekson lidhjet midis Rusisë dhe Turqisë dhe afërsia mes presidentëve Putin dhe Erdogan u lejon atyre të zhvillojnë negociata të shpeshta për çështje të ndryshme – nga energjia deri te luftërat në Ukrainë dhe Siri, kujton Reuters.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore