Lajme

Turqia dhe Serbia, bashkëpunim për udhëtime pa pasaporta


Vërejtjet e ministrit të Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, erdhën pas një konference të përbashkët shtypi me homologun e tij, Nikola Selakoviç, në Beograd.

“Ne njohim reciprokisht certifikatat e vaksinës COVID-19, për të mundësuar udhëtim të lehtë për qytetarët, të cilët duhet të jenë në gjendje të udhëtojnë me kartat e tyre të identitetit pa pasur nevojë për pasaportë”, tha fillimisht Çavuşoğlu.

Më tej, ministri u shpreh se “do vazhdojmë të punojmë së bashku për këtë dhe besoj se do të arrijmë një marrëveshje”.

“Turqia renditet e para në numrin e turistëve që vizitojnë Serbinë”, tha ai, duke shtuar se Turqia do të hapë të mërkurën konsullatën e saj në qytetin e Novi Pazarit.

Çavuşoğlu njoftoi gjithashtu hapjen e zyrës përfaqësuese konsullore të Turqisë në qytetin e Nishit.

“Është një zonë, përmes së cilës kalojnë një numër i madh i qytetarëve turq që udhëtojnë nga vendet e Bashkimit Evropian”.

Duke folur për situatën aktuale në rajon, Çavuşoglu theksoi rëndësinë e rolit të Turqisë dhe Serbisë në ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit rajonal.

“Ne jemi dëshmitarë të tensioneve dhe mosmarrëveshjeve të caktuara në Bosnjë dhe Hercegovinë kohët e fundit. Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, përcolli opinionin dhe qëndrimin e Turqisë në lidhje me të ardhmen e Bosnjës dhe Hercegovinës gjatë vizitës së tij. Ne duhet të kapërcejmë mosmarrëveshjet aktuale sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai.

“Në këtë proces, si presidenti Tajip Erdogan, ashtu edhe Aleksandar Vuçiç kanë role të rëndësishme. Ne do të bëjmë gjithçka për t’i kapërcyer problemet në Bosnjë përmes dialogut”, shtoi Çavuşoğlu.

Selakoviç tha se Serbia është në favor të zhvillimit dhe forcimit të marrëdhënieve të saj me Turqinë, duke shtuar: “Konsullata e Përgjithshme e Turqisë, që do të hapet zyrtarisht në qytetin e Novi Pazarit, është një nga dëshmitë e nivelit të besimit midis dy vendeve”.

Investimet turke në Serbi janë rritur gjithashtu, së bashku me forcimin e marrëdhënieve diplomatike, vuri në dukje ai gjithashtu.

“Ne jemi mirënjohës ndaj investitorëve turq që hapin kompani dhe sigurojnë punësim në rajone, ku investitorët e tjerë nuk e shohin atë tërheqës”.

“Serbia e sheh Turqinë si një element të rëndësishëm të paqes dhe stabilitetit në rajon. Ne do vazhdojmë bashkëpunimin dhe ndihmën tonë reciproke në të ardhmen. Besojmë se të dyja palët do të përfitojnë vetëm në këtë mënyrë dhe se ne mund t’i zhvillojmë marrëdhëniet tona miqësore”, ka shtuar Selakoviç.

Çavuşo mbërriti në Beograd për një vizitë zyrtare dyditore.

Më 1 shtator, ai do të marrë pjesë në hapjen zyrtare të Konsullatës së Përgjithshme të vendit të tij në Novi Pazar.

Turqia është vendi i parë që ka hapur një mision diplomatik në qytet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore