Udhëtime

Turizmi në Shqipëri, mes pritshmërisë dhe sfidave


Shqipëria është nga ato vende, që vitet e fundit e kanë hedhur vëmendjen nga sektori i turizmit, si një nga sektorët më të fuqishëm ekonomik, duke qenë se edhe kushtet natyrore e favorizojnë shumë. Vendi ofron detin, malin, fushën, luginën, lumenj, laguna, pyje etj. të cilat mund të vizitohen brenda një kohe të shkurtër dhe duke ja bërë më të lehtë turistit për t’i shijuar të gjitha së bashku. Sigurisht që pa harruar këtu edhe kështjellat, kalatë, parqet arkeologjike etj.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, në vitin 2018, prezantoj nismën “10 milionë turistë” që do të vizitojnë vendin tonë brenda pak vitesh. Një sfidë e vërtetë për turizmin e një vendi të vogël, si Shqipëria, ndonëse potencialet i ka të larta.

Për të zhvilluar këtë sektor dhe për të tërhequr sa më shumë turistë, Shqipëria në politikat e saj turistike është përqëndruar më shumë tek turizmi detar, agroturizmi dhe turizmi në natyrë, pra duke i qëndruar një turizmi sa më ekologjik, ku jo vetëm natyra shqiptare është në shërbim të turistit, por edhe prodhimi vendas bio, artizanati etj.

Sigurisht, që përveç favorizimeve natyrore në forma relievi, hidrografie, klime e potenciale të tjera, turizmit, për qenë më konkurues me vendet e rajonit që janë më të mëdha se Shqipëria dhe ofrojnë më shumë kushte, si Kroacia, Greqia, Turqia etj, i nevojiten investime dhe strategji të qarta.

Ndonëse, Shqipëria ka bërë përpjekje reale dhe ka ecur përpara në zhvillimin e turizmit. Krijmi i “Smile Albania” është një mënyrë efikase për të mirëpritur turistët e huaj nëpër pika kyçe si porte, aeroporte apo qendra kryesore turistike dhe për t’u ofruar informacionin e nevojshëm turistik, harta etj. Një tjetër pikë e fortë për turizmin rural dhe agroturizmin është projekti “100 fshatrat turistik”, nga i cili kanë përfituar, nga vetë emri, 100 fshatra në gjithë Shqipërine, ku është investuar në sheshe, fasada, shtëpi, rrugë etj. Gjithashtu fondet që jep shteti për investime në ferma e agroturizëm janë mënyrë e mirë për zhvillimin e turizmit.

Investimet nuk janë ndalur me sa përmendëm më sipër, por ka edhe investime në infrastrukturë, shërbime turistike, në industrinë turistike, shkolla profesionale lidhur me turizmin e shumë të tjera.

Por, cilat janë sfidat e vërteta të turizmit shqiptar?

Në radhë të parë, turizimi elitar kërkon dhe një përkujdesje të madhe për mjedisin. Turizmi në masë, dihet se do të shkaktojë dhe ndotje në masë, ndaj planet duhen bërë të qarta se si do të operohet edhe në këtë drejtim.

Marrim një shembull të thjeshtë. Sivjet për shkak të Covid-19, turizmi ishte kryesisht vendas, por kjo nuk e ndaloi që në lumin e Shalës, në veri të vendit, të kishte një lëvizje masive, një dyndje turistike, pasi dhe jo më kotë cilësohet si “Tajlanda shqiptare”, një mrekulli mes maleve. Por, pasojat e këtij turizmi ishin të dukëshme, mbi liqenin e Komanit, nga mbeturinat më të thjeshta e deri tek shishet plastike. Kjo vjen si pasojë e një mungese strategjie e plani veprimi për heqjen e tyre.

Ndotja është ndër problemet kryesore, që realisht kërkon vëmendje të madhe nëse duam të kemi turizm elitar. Nuk kemi vetëm ndotje nga mbetje të hedhura nga turistët, por një problem madhor mbetet, sidomos në bregdet, mbeturinat që sjellin lumenjtë, pasi siç dihet lumenjtë e vendit tonë janë vendgrumbullim mbetjesh, të ndikuar nga kontrolli i dobët i strukturave shtetërore, si dhe ndërgjegjja e ulët qytetare.

Të gjitha këto mbeturina përfundojnë në det, shto këtu edhe ujërat e zeza të qyteteve pranë bregdetare, e kështu lind një problematikë shumë e madhe. Shembulli për këtë mund të shihet në gjithë bregdetet pranë grykëderdhjeve të lumenjëve në Ultësirën Perëndimore kryesisht. Shembull real është edhe Laguna e Kune-Vainit, me vlera të mëdha natyrore, kërcënohet sot nga ujërat e zeza, që po e kthejnë në një moçal.

Ndotja nga industria është një tjetër fenomen shqetësues, si për tokën, ajrin, ujin dhe peizazhin në përgjithësi. Kështu, shumë industri që janë anës lumenjëve derdhin mbetjet e tyre të lëngëta e të ngurta në lumenj, të cilat më pas përfundojnë në det. Shembull, industria e naftës është “kanceri” i lumit Seman dhe plazhit të Semanit në Fier, ku në bregdet gjen pafundësisht mbetje të naftës si në rërë ashtu dhe në ujë.

Infrastruktura është një tjetër problem serioz që kërcënon haptazi ekzistencën e një turizmi elitar. Shumë zona turistike nuk kanë rrugë, sidomos zonat malore. Por, shembulli më i qartë se si nuk duhet të jetë një destinacion turstik është “Syri i Kaltër”, një vend që për nga bukuria që i ka falur natyra, padyshim është nga më të veçantët në Shqipëri e më gjerë, por që turisti pengohet jo pak, kur vjen fjala për te rruga, një rrugë jo më shumë se 1-2 km, madje edhe me pagesë, në hyrjen e saj, por që asfaltimi i ka lënë vendin gropave.

Pronësia e tokës është ndoshta fenomeni më i keq shqiptar, që jo për turizmin, por për gjithçka është një pengesë e madhe. Shumë investitorë të huaj janë tërhequr pasi pronës, në të cilën do të ngrinin resorte, i kanë dalë nga dy, tre apo dhe më shumë pronarë. Kjo ka mbajtur peng investimet gjigande të cilat vetë Shqipëria nuk ka fuqi që t’i realizojë dhe kurrësesi as të konkurojë me super resortet e Turqisë përshembull.

Erozioni detar, një tjetër problem që shqetëson e  kërcënon jo vetëm vijën bregdetare të Shqipërisë dhe që është shkaktari kryesor që sot plazhi i Semanit në Fier ka humbur rreth 200m tokë në vetëm 30 vite, por që kërcënon edhe pika të tjera të rëndësishme turistike si Laguna e Patokut, Laguna e Kune-Vain, plazhi i Shëngjinit etj. Deri tani janë bërë disa ndërhyrje sporadike dhe të papërfillëshme, por që më shumë i është lënë natyrës në dorë për të vepruar.

Mungesa e hekurudhës. Nuk ka turistë të huaj, që vjen në Shqipëri dhe nuk çuditet, që nuk ka hekurudhë funksionale, e cila është një nga mënyrat më të mira, më të shpejta dhe më të përdorura të transportit në botë. Për shkak se dhe kostot janë më ekonomike se llojet e tjera të transporit, mbetet e kërkuar për lëvizjet turistike.

Moratoriumi i skafeve, i cili vazhdon prej vitesh, që nga koha e qeverisë së Sali Berishës në vitin 2006, e cila e bllokoi, si një mënyrë efikase për të ndaluar transportin ilegal të njerzëve dhe trafikun e drogërave nga Shqipëria për në Itali, por që, në turizmin detar, mbetet një goditje e madhe bllokuese. Kryeministri aktual i Shqiperise, Edi Rama, ka premtuar heqjen e plotë të këtij bllokimi si dhe krijimin e një moli për skafet e jahtet në Durrës.

Tjetër pjesë e problematikës janë edhe kazinotë, sidomos në zona bregdetare. Ka shumë vende që i kanë kthyer në mënyrë për të bërë turizëm sepse turisti nuk kërkon vetëm klube nate, por edhe kazino si një mënyrë për të kaluar mbrëmjen apo thjesht dëshirë për të luajtur. Por nuk ka shumë kohë që qeveria shqiptare bllokoi çdo lloj aktiviteti të lojërave të fatit.

Gjithsesi problematikat janë të shumta, kërkojnë kohë sigurisht, por shenja e mirë është se po punohet në këtë drejtim, për ta bërë Shqipërinë, destinacion turistik në Ballkan dhe Europë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore