Shqipëria

Turizmi malor në kohë pandemie


E përshkruar në shekuj nga historianët evropianë si toka e legjendave, e heronjve dhe e civilizimeve të lashta, Shqipëria ofron plot të panjohura për çdo udhëtar. Përveç historisë, mund të njohësh traditat e lashta autentike, kuzhinën e veçantë dhe njerëzit mikpritës.

E mbrojtur nga muret e maleve madhështore, e shtruar me livadhe, pyje, burime të ftohta uji, Shqipëria shndërrohet në një vend potencialisht të fuqishëm për turizmin malor në të gjitha stinët.

Zonat më popullore për këtë turizëm janë Alpet e Shqipërisë në veri, në kufi me Malin e Zi dhe Kosovën. Zonat si Parku Kombëtar i Thethit, Vermoshi, Razma dhe lugina e Valbonës janë pika turistike të njohura dhe të frekuentuara ndërkombëtarisht.

Gjithë turizmi malor në Alpe është i organizuar me akomodime në shtëpi karakteristike të tipit kulla. Atje ofrohet vetëm ushqim tradicional bio.

I njëjti lloj turizmi malor ofrohet gjithashtu edhe në Juglindjen e Shqipërisë.

Në Korçë gjejmë pikat e njohura turistike si Voskopoja, Dardha dhe Vithkuqi. Në këto zona, krahas bukurive natyrore, pistave natyrale për ski, vizitorët mund të njihen dhe me kulturën mesjetare shqiptare. Kjo, duke vizituar objekte të trashëgimisë kulturore e religjioze, siç janë komplekset e kishave në Voskopojë e Vithkuq.

Por, çfarë ka ndodhur në vitin 2020?

Pandemia, karantina dhe kufizimet në lëvizje, kanë ndikuar në uljen e numrit të turistëve në Shqipëri. Rrjedhimisht  është ulur edhe numri i të punësuarve në këtë sektor. Sipas Institutit të Statistikave, INSTAT, Shqipërinë e kanë vizituar rreth 2 milionë e 458 mijë turistë.

Numri i vizitorëve nga jashtë, për viti 2020 është pak më shumë se një e treta në krahasim me vitin 2019.

Albanian Post (AP) ka siguruar informacione nga disa agjenci dhe guida turistike përsa i përket fluksit të turistëve, udhëtimeve dhe moshës kryesore që frekuenton turizmin malor.

Guidat

Frako Suka, guidë turistike në Valbonë dhe Theth, tha se gjatë vitit 2020 nuk ka pasur fluksin me turistë si vitet e kaluara. Ai shtoi që shkaku kryesor është bërë pandemia dhe masat shtrënguese që kanë pasur shtetet e caktuara. Gjithashtu nuk la pa përmendur edhe faktorin e frikës nga infektimi i virusit.

“Ishte një periudhë kohe, gjatë verës, ku Shqipëria ishte në listën e kuqe për shumë shtete evropiane. Kjo, ka ndikuar në uljen e numrit të vizitorëve nga këto vende. Ka ekzistuar edhe frika. Shumë shtetas evropian e shohin Shqipërinë si vend në zhvillim dhe nuk kanë besim tek institucionet spitalore nëse do të sëmureshin këtu”.

Ai përmendi edhe uljen numrit të punonjësve në sektorin e shërbimeve.

“Në vitin 2019 kam bërë 35 ture turistike nga Valbona në Theth, për vitin 2020 kam bërë vetëm tre. Në Valbonë dhe në Theth, shumica e bujtinave dhe hoteleve e kishin përgjysmuar numrin e punonjësve. Nëse në 2019 ishin të punësuar familjarët e rrethit të gjerë dhe persona të tjerë, në vitin 2020 pothuajse të gjithë bizneset kishin vetëm rrethin e tyre familjar të punësuar”.

“Veriu i Shqipërisë, gjatë vitit 2020, ka qënë kryesisht i frekuentuar nga shtetas polakë, hungarez dhe bullgarë”, tha Suka.

Majk Mila/Ura e Shtrejtë
Majk Mila/Maja e Maranajt
Majk Mila/Theth
Hoteleria

Ervis M. pronari i një hoteli qytetin e Shkodrës dhe agjent turistik, i tha gazetarit të AP-së që viti 2020 ka qënë shumë i dobët për biznesin e tij. Gjatë një interviste në What’s App ai shkroi që në vitin 2019 ka akomoduar më shumë se 2 mijë e 500 turistë, kurse vitin e kaluar numri mezi shkoi në 200.

Sipas vështrimeve të tij, Ervisi shpjegoi që turistët italianë janë përgjithësisht moshë e tretë. Ata frekuentojnë destinacione të shkurtra dhe zakonisht vizitojnë qytetin apo Lumin e Shalës.

Shtetasit austriakë, tha ai, shumica janë studentë. Destinacionet e tyre mund të jenë të larmishme, mjafton të jet low-cost (çmime të ulët).

Ervisi, tha për AP që aktivitetet që përfshijnë aktivitetet në male si: kamping, piknik, hiking dhe rafting (lundrim me kanoe), kryesisht tërheqin moshat e reja dhe të mesme.

“Sidomos, polakët, çekët dhe austriakë janë kanë të preferuar aktivitetet outdoor (në natyrë)”

Biznesi i tij, kishte ulur numrin e të punësuarve me katër veta gjatë vitit 2020.

Përsa i përket ushqimeve, tha një pronar restoranti në plazhin e Velipojës, turistët vlerësojnë kuzhinën tradicionale të shoqëruar me muzikën karakteristike krahinës.

Majk Mila/Liqeni i Shkodrës
Majk Mila/Kir
Majk Mila/Currajt e Epërm
Strategjia e turizmit.

Të gjitha këto produkte turistike, po bëjnë që turistët ta shohin Shqipërinë, përherë dhe më shumë, si destinacion atraktiv turistik.

Të gjitha segmentet turistike që ofron Shqipëria lidhen mjaft mirë me turizmin e malor dhe bregdetar.

Që turizmi rrit investimet publike, përmirëson infrastrukturën, rrit punësimin, turizmi është mirëqenie, kjo tashmë është e padiskutueshme.

Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Turizmit, kjo industri mund të punësojë në mënyrë direkte për 4 vite, më shumë se 120 mijë shqiptarë.

Edhe raportet e fundit ndërkombëtare, flasin se Shqipëria është në pozicione të mira për nivelin e çmimeve. Kjo në raport me çmimet që një turist shpenzon për të njëjtën eksperiencë në Evropë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore