Shqipëria

Turizmi i vitit 2020/ Rënie e lartë e udhëtimeve për qëllime biznesi


Në vend, turizmi është kyç në ekonomi.

Ai ka aftësinë të ofrojë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e qëndrueshëm.

Krijon vende pune, gjeneron mundësi tregtare për të njohur nevojat dhe për të mbështetur aktivitete turizmi.

Po ashtu krijon kapacitete të rëndësishme që promovojnë përparësitë për ruajtjen mjedisore dhe larminë kulturore.

Prandaj dhe statistikat mbi të shihen me rëndësi për t’u mundësuar vendimmarrësve të vlerësojnë dhe përmirësojnë sektorin.

Karakteristikat kryesore të udhëtimeve të popullsisë banuese në Shqipëri

INSTAT-i ka nxjerrë në një raport të fundit se në vitin 2020, numri i udhëtimeve për qëllime personale apo biznesi brenda vendit, të kryera nga individët banues në Shqipëri të moshës mbi 15 vjeç ishte 2 milionë e 920 mijë e 287.

Numri mesatar i netëve të qëndrimit për udhëtime të kryera është 3,97 net. Udhëtimet për qëllime personale përbëjnë 98,8 për qind të udhëtimeve gjithsej, ndërsa udhëtimet për qëllime biznesi 1,2 për qind të tyre.

Përqendrimi më i lartë i udhëtimeve brenda vendit për vitin 2020 sipas muajit të nisjes janë regjistruar në muajt: gusht me 18,0 për qind, qershor 12,9 për qind, janar 11,2 për qind dhe dhjetor me afro 10,7 për qind.

Në vitin 2020, janë regjistruar 1,4 për qind më shumë udhëtime për pushime dhe kohë të lirë në Shqipëri, krahasuar me vitin 2019.

Përgjithësisht është shënuar ulje për të gjitha llojet e tjera të udhëtimeve, ndërsa për udhëtimet për qëllime biznesi të kryera në Shqipëri është shënuar ulja më e lartë.

Përqindjet më të larta të udhëtimeve për qëllime personale apo biznesi, në vitin 2020 janë regjistruar në qarqet: Tiranë me 29,0 për qind, Vlorë me 17,7 për qind, Durrës me 15,4 për qind dhe Korçë me 9,8 për qind.

Lidhur me udhëtimet e kryera në Shqipëri për qëllime personale apo biznesi, sipas INSTAT-it, llogariten 3,97 net mesatare qëndrimi, 48,1 për qind akomodime te të afërm ose miq dhe 99,95 për qind e udhëtimeve janë kryer me transport rrugor.

Kurse mbi shpërndarjen e udhëtimeve sipas gjinive, 49,4 për qind të tyre i përkasin meshkujve dhe 50,6 i përkasin femrave.

28,0 për qind e udhëtimeve si vend origjinë kanë qarkun e Tiranës, 11,2 për qind qarkun e Elbasanit, 9,2 për qind qarkun e Vlorës dhe 9,1 për qind qarkun e Shkodrës.

Karakteristikat e vizitorëve të huaj në Shqipëri

Referuar të dhënave, hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri në vitin 2020 kanë qenë afërsisht 2,7 milionë persona.

Gjatë vitit 2020, hyrjet e shtetasve të huaj janë 58,5 për qind më pak se viti 2019.

Shtetasit e huaj, që hyjnë në Shqipëri, vijnë kryesisht nga Kosova (52 për qind), Maqedonia e Veriut (14 për qind), Greqia (tetë për qind), Mali i Zi (shtatë për qind) dhe Italia (pesë për qind).

Gjatë vitit 2020, hyrjet e shtetasve nga rajoni i Evropës zënë pjesën më të madhe të hyrjeve të shtetasve të huaj me 98,5 për qind.

Numri i tyre ka rënë me 54,9 për qind, krahasuar me një vit më parë.

Në vitin 2020, me rrugë ajrore kanë mbërritur afërsisht 270 mijë shtetas të huaj, duke rënë me 65,6 për qind, krahasuar me një vit më parë.

Shtetasit e huaj që hyjnë në vend nëpërmjet linjave ajrore zënë mesatarisht 10,2 për qind të hyrjeve gjithsej.

Numri i shtetasve të huaj që mbërrijnë në Shqipëri me linjat detare ka qenë afërsisht 64 mijë duke rënë me 86,3 për qind, krahasuar me një vit më parë.

Shtetasit e huaj që hyjnë në vend nëpërmjet linjave detare zënë mesatarisht 2,4 për qind të hyrjeve gjithsej.

Sakaq, numri i shtetasve të huaj që mbërrijnë në vend nëpërmjet tokës ka qenë afërsisht 2,3 milionë, duke rënë me 54,9 për qind, krahasuar me një vit më parë.

Shtetasit e huaj që hyjnë në vend nëpërmjet tokës zënë pjesën më të madhe me 87,4 për qind të hyrjeve gjithsej gjatë vitit 2020.

Në vitin 2020, numri i vizitorëve të huaj me net qëndrimi është rreth 2,5 milionë duke rënë me 57,4 për qind krahasuar me një vit më parë. Ndërsa numri i vizitorëve ditorë është rreth 54 mijë, duke rënë me 80,4 për qind krahasuar me një vit më parë.

Po atë vit, hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime personale zënë pjesën më të madhe të hyrjeve të shtetasve të huaj, afërsisht 95,6 për qind.

Numri i hyrjeve të shtetasve të huaj për qëllime personale ka rënë me 59,7 për qind, krahasuar me një vit më parë. Ndërsa hyrjet për qëllime biznesi zënë 4,4 për qind të hyrjeve gjithsej, duke u rritur 14,0 për qind, krahasuar me një vit më parë.

Kapacitetet akomoduese

Në vitin 2020, sipas INSTAT-it, në gjithë vendin funksionuan 1 mijë e 469 struktura akomoduese dhe janë vënë në dispozicion rreth 40 mijë dhoma dhe rreth 95 mijë shtretër.

Gjatë atij viti, industria e turizmit ka ofruar mesatarisht rreth 33 shtretër në dispozicion të një mijë banorëve.

50 për qind e shtretërve janë shfrytëzuar nga jo-rezidentët, kapacitetet maksimale janë vënë në dispozicion gjatë muajit gusht dhe tremujori i tretë ka pasur normën e shfrytëzimit më të lartë të shtretërve, rreth 18,4 për qind.

Gjatë vitit 2020, janë miratuar gjithsej 23 leje ndërtimi për ndërtim hotelesh, nga 67 leje të miratuara në vitin 2019.

Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtim hotelesh, në vitin 2020, është rreth 77 mijë metra katrorë, duke shënuar një rënie prej 81,6 për qind krahasuar me vitin 2019.

Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit e miratuar për ndërtim hotelesh, në vitin 2020, është rreth 2,9 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 78,9 për qind krahasuar me vitin 2019.

Ndërkaq, qarku Vlorë shënoi numrin më të lartë në lejet e miratuara për “Hotele dhe të ngjashme” me rreth 39,1 për qind të lejeve gjithsej në nivel vendi.

Gjatë vitit 2020, në vend erdhën rreth 2,7 milionë shtetas të huaj, dëshirat dhe nevojat e të cilëve u plotësuan nga rreth 55 mijë të punësuar vetëm në aktivitetet e lidhura direkt me turizmin.

Kjo nënkupton se çdo i punësuar në këto aktivitete i shërbente dhe kujdesej për rreth 49 vizitorë të huaj.

Vlera e shtuar e industrive të turizmit ka rënë me 33,9 për qind, krahasuar me vitin 2019. Pesha që zënë industritë e lidhura drejtpërdrejt me turizmin në Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) për vitin 2020 është 2,3 për qind.

Aktivitete të tjera turistike

Në vitin 2020, numri vizitorëve që kanë vizituar muzetë dhe kala e monumente të tjerë ka qenë afërsisht 200 mijë persona, duke rënë me gjashtë herë krahasuar me vitin 2019.

Gjatë atij viti, numri i vizitorëve që kanë vizituar parqe arkeologjike është rreth 79 mijë dhe zënë 41 për qind të numrit të vizitorëve gjithsej që kanë vizituar parqet arkeologjike, muzetë dhe kala e monumente të tjerë.

Ky është i ndjekur nga numri i vizitorëve në kala e monumente të tjerë që zënë 33 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore