Lajme

Tu(erro)risti Osama Bin Laden


23 pjesëtarë të familjes bin Laden, gjatë vizitës së tyre në qytetin Suedez, Falun

Në vitin 1971, 23 pjesëtarë të një familjeje shumë të pasur saudite, vizituan qytetin suedez të Falun-it. Binte në sy në atë kohë se si këta persona me origjinë qartësisht nga vendet arabe, ishin të veshur aq me stil për kohën.

Ndër më të thjeshtët, ishte një djalosh 16-vjeçar. Ai mbante të veshur një palë pantallona blu, të cilat sipas modës së kohës, ishin më të gjera në fund të këmbëve. Një bluze të jeshiltë në të hirtë, kishte veshur përsipër.

Ai nuk kishte pothuaj asgjë të veçantë, asgjë dalluese dhe nga i gjithë grupi binte më së paku në sy. Në trajektoren e jetës së tij, kjo mund të jetë ndër fotografitë e rralla kur ai pothuaj nuk tërheq fare vëmendje.

Mirëpo, gjërat do të ndryshonin shpejt dhe shumë për djaloshin që quhej Osama. Përplasja e pllakave tektonike të gjeopolitikës, që do ta ndërronin fotografinë e një rajoni të tërë, do ta kthenin atë në personazh që njihej dhe kërkohej edhe përmes fotografive.

Në vitin 1978, në Afganistan ndodh Revolucioni i Diellit – komunistët përmes grushtit të shtetit marrin pushtetin dhe iniciojnë një varg reformash. Mirëpo, përplasjet brenda pushtetit të ri do ta riprodhonin krizën.

Një vit pas, shefi i Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, Leonid Brezhnev, do ta urdhëronte Divizionin e 40-të të ushtrisë që të marshonte drejt Kabulit. Pas pushtimit aty instalohet një qeveri me njerëz luajalë ndaj Bashkimit Sovjetik.

Dinamikat në rajon ndërrojnë radikalisht. Për një të ri në moshën 22-vjeçare, me ide deri diku radikale, kjo është thirrja të cilës i duhet përgjigjur. Osama, mbiemrin e të cilit do ta mësonte bota pak vjet më vonë, iu bashkohet luftëtarëve muxhahedine në Pakistan. Këto, e luftonin Rusinë në Afganistan.

Shumë vjet më vonë do të mësohej se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) kishin sponsorizuar dhe ndihmuar luftën e muxhahedinëve kundër Bashkimit Sovjetik.

Gati dhjetë vjet më vonë, Osama do ta formonte organizatën e tij. Ai do ta quante Al-Qaeda, që në shqip do të thotë “baza” apo “themeli”. Mirëpo, baza e Al-Qaeda shpejt do të duhej të largohej nga Arabia Saudite, ku ishte shpallur i padëshirueshëm, drejt Sudanit.

Përfundimisht, më 1996-ën drejt Afganistanit. Brenda më pak se dy dekadave, djaloshi Osama do të kthehej në burrin e frikshëm Osama Bin Laden. Ai, do t’i “shpallte luftë” Amerikës.

Sulmet e 11 shtatorit 2001 janë ato që e kthyen Osama Bin Laden-in në njeriun më të kërkuar të Amerikës. Brenda dekadës ai do të vritej. Më 2 maj 2011, Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, njofton se njësitet elite amerikane, Navy Seals, e kanë vrarë “terroristin Osama Bin Laden”.

“Turisti” bin Laden

Një jetë me dinamikë të tillë, nuk do t’i besohej lehtë edhe nëse do t’i thuhej, gjysmë vëllait të tij, Salem bin Laden, i cili e kishte marrë Osamën dhe 21 vëllezër e motra në Falun, të Suedisë.

Në vitin kur ajo foto është shkrepur, Salemi po shkonte të zhvillonte biznes me kompaninë Volvo.

Osama, ishte një turist i thjeshtë, me fatin e të pasurit një baba dhe vëlla sipërmarrës.

Fotografia është shkrepur diku rreth shtatorit 1971, pa datë të saktë.

30 vjet pas asaj fotoje, më 11 shtator 2001, bin Laden do të organizonte sulmin terrorist më të madh që ka goditur SHBA-të. Atë të kullave binjake dhe pentagonit.

Prej 10 vjetësh jo më në jetë, Osama, do të mbahet mend si një udhëheqës, ndër më të tmerrshmit që organizata terroriste Al-Qaeda ka pasur që prej formimit.

Kjo, edhe pse dikur, ai ishte një adoleshent i thjeshtë që shijonte qytete të mrekullueshme perëndimore.

Në një kohë, kur familja bin Laden, nuk e dinte se me vete, gjatë udhëtimeve, po merrte edhe atë që do të bëhej terroristi më famëkeq në histori.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore