Lajme

Trupi i gjetur në Malin Etna dhe misteri i mafias


Gjysmë shekulli pasi gazetari investigativ Mauro De Mauro u zhduk në Siçili, një trup që është zbuluar në një shpellë ka ngjallur shpresa të reja për të zgjidhur një nga misteret e mafias italiane.

Trupi u gjet në muajin shtator nga një qen nuhatës gjatë një operacioni stërvitor në shpatet e malit.

Analistët e laboratorit të krimit pritet të kryejnë një test të ADN-së mbi kufomën e paidentifikuar.

Hetuesit kanë besuar prej kohësh që De Mauro, i cili kishte hulumtuar mbi vdekjen e dyshimtë të biznesmenit të fuqishëm italian Enrico Mattei, u rrëmbye dhe u vra nga Cosa Nostra siçiliane.

Enrico Mattei

Gazetari u zhduk më 16 shtator të vitit 1970 në Palermo.

Vajza e tij, Franca, një nga njerëzit e fundit që e pa atë të gjallë, telefonoi menjëherë policinë pasi lexoi raportimet për trupin e gjetur së fundmi.

Një monedhë e vitit 1977 u zbulua pranë mbetjeve, së bashku me një pjesë të një gazete të vitit 1978, sipas të përditshmes “La Sicilia”.

Gazetari mund të jetë mbajtur rob prej vitesh nga rrëmbyesit dhe është detyruar të veshë rroba të ndryshme.

Mauro De Mauro

Nëse trupi do të përputhet me ADN-në e De Mauro-s, ai mund të ketë vdekur pasi ia ka dalë mbanë të arratiset.

Qeni supozohej të nuhaste një person fiktiv për qëllime trajnimi.

Vdekja e tij nuk besohet të ketë qenë e dhunshme, thanë raportet.

Historia nis nga vdekja e Mattei-t, i cili themeloi kompaninë e naftës ENI. Ai ndërroi jetë gjatë një incidenti ajror të vitit 1962, i shkaktuar nga një bombë.

Bosi mafioz Salvatore “Toto” Riina u gjykua për vrasjen e De Mauros, por u shpall i pafajshëm për mungesë provash.

Gazetari u rrëmbye pak ditë para dasmës së bijës së tij. Pasi u kthyen në shtëpi së bashku nga një shëtitje, Franca hyri në shtëpi ndërsa babai i saj parkonte makinën.

Makina e Mauro De Mauro-s

Ajo u kthye dhe pa dy ose tre burra duke hipur në makinë. De Mauro u rrëmbye me shpejtësi, për të mos u kthyer më, sipas të përditshmes “Giornale della Sicilia”.

Hetuesit kryesorë të çështjes do të vriteshin me radhë nga mafia vite më vonë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore